Abdixhiku: Miqësia Kosovë-Amerikë, themel historik dhe vizion i përhershëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së tyre.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku thekson rëndësinë historike të kësaj date, duke e konsideruar shpalljen e pavarësisë së SHBA-së në vitin 1776 si një moment kyç jo vetëm për lindjen e një shteti, por edhe si simbol të luftës për liri, demokraci dhe prosperitet për të gjitha popujt në botë.
Ai vlerëson SHBA-të si themeluese të së drejtës universale për jetesë të lirë dhe model frymëzimi për shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën.
Abdixhiku thekson se kontributi amerikan në lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm.
Në mesazh po ashtu theksohet miqësisa historike mes Kosovës dhe SHBA-ve, e cila sipas tij, është themel i pandryshueshëm dhe vizion politik, duke rikujtuar fjalët e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, për një Kosovë të pavarur, sovrane, e integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara.
Në përmbyllje, Abdixhiku uron qeverinë dhe popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe i uron bekim miqësisë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. /Kosova.info/
