Abdixhiku: Kosova, sot ka qeveri përplasëse – jam i bindur se koha jonë po vjen
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit të ri të Përgjithshëm të kësaj partie ka folur edhe për gjendjen ekonomike në vend.
Abdixhiku tha se qeveria aktuale e ka shndërruar menaxhimin ekonomik në një transaksion të thjesht financiar, ku sipas tij, paratë shpërndahen pa ndonjë efekt afatgjatë.
“Ky transaksion i thjesht financiar ka prodhuar pasivitetin më të madh investues në vend. Një qeveri që s’arrin t’i shpenzojë më shumë se 29% të buxhetit për investime kapitale, pra atij që ka planifikuar vet, e ne s’po themi që është kumeditë çfarë planifikimi, pra një qeveri në planin e vet nuk realizon më shumë se 29% është thjesht në dorëzim”.
“Kjo qeveri ka braktisur qytetarët e Kosovës, prandaj qytetarët tanë po e braktisin atdheun e vet. E ne kemi nevojë për një qeveri, që për përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të vet, nuk e sheh si dorëzim, por si mirëkuptim të një fatkeqësie ekonomie”, tha ai.
Më tej, Abdixhiku tha se Kosova sot s’ka qeveri përkujdesëse, por ka qeveri përplasëse e qeveri popullsite, ndërsa sipas tij, LDK-ja e ka një plan e një program të detajuar në 22 fusha e me mbi 5 miliardë euro investime në çdo sferë të jetës publike.
“Prandaj, këtë plan duhet ta shpërfaqim sa më shumë të gjithë ne. Të kapërcejmë nga kurthi i së shkuarës në diskutime për atë që ka rëndësi për vet qytetarët e vet, për vet Republikën, vet atdheun e të ardhmen tonë”.
“Këtë komunikim, sot në Kosovë s’ka tjetër ta bëjë. Këtë duhet ta bëjmë ne, LDK-ja. Dhe jam i bindur, pas gjithë proceseve të brendshme, pas rifreskimit tonë organizativ, pas unitetit të shkëlqyer e vullnetit të madh për angazhim, jam i bindur, si asnjëherë më parë se koha jonë po vjen”, tha Abdixhiku.
Tutje, ai tha se LDK-ja duhet të shndërrohet sërish në një emërtim që përfaqëson vlerat më të mira të popullit të Kosovës, që sipas tij, përafron njerëzit me të zotë të vendit, e që rrugëton me plot siguri drejt udhëtimit euro-atlantik.
