Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen rekord: 171,249 vota për LDK-në, mesazh për ndryshim brenda partisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kjo parti mori 171,249 vota, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Abdixhiku theksoi se në zgjedhjet e fundit, LDK kishte marrë 110,206 vota, ndërsa mbështetja e kësaj radhe dëshmon besimin e qytetarëve në rrugën e re të partisë.
“Plot 171,249 falënderime për qytetarët që votuan LDK-në këtë herë. Ishim vetëm 110,206 katër vite më parë, dhe kjo rritje na flet shumë! E kam të qartë mesazhin tuaj për LDK-në – do ta kthejmë në veprim”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka falënderuar në veçanti 146,352 votuesit që i dhanë mbështetje si bartës i listës, duke e cilësuar këtë si një mbështetje rekord prej 85% për ndryshimin e brendshëm në parti.
“Ky është mesazh i qartë për ndryshime të mëtejshme në rrugëtimin tonë përpara”, ka përfunduar Abdixhiku. /Kosova.info/
