Abdixhiku falënderon mërgatën: LDK partia me rritjen më të madhe, do të nisë turneun e falënderimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mërgatën për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se LDK është partia me rritjen më të madhe në vend.
Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku ka pranuar se rezultati nuk ishte ai që synonin, por theksoi se partia ka fituar 70 mijë vota më shumë dhe ka shtuar numrin e deputetëve në Kuvend për 7 mandate.
“Kokën lartë! Rënia është e shpejtë, por ringritja është e ngadaltë dhe kërkon punë. Ne dhamë punë dhe shpresë, duke u bërë adresë e 180 mijë qytetarëve tanë,” shkroi Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se pas certifikimit të rezultateve, do të nisë “Turneun e Falënderimit”, për të takuar votuesit që e mbështetën thirrjen e tij për ndryshim.
“Do të takoj gjithë ata që u rreshtuan në thirrjen time për ndryshim. Këtë herë nuk ishim mjaft. Por u bëmë më shumë. Do të bëhemi edhe më shumë,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
