Abdixhiku akuzon për sabotazh: Fushata në Prishtinë nisi me bërllog, por Prishtina ecë përpara

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes me mbeturina në Prishtinë duke akuzuar për sabotim të qëllimshëm politik nga kundërshtarët. Në një deklaratë publike, ai tha se fushata zgjedhore në kryeqytet ka nisur jo me ide e projekte, por me grumbuj bërllogu, të cilët janë, sipas tij, rezultat i një skenari të organizuar për të diskredituar qeverisjen komunale të LDK-së.

“Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë. Me sabotazhë në njërën anë, e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër – krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje,” tha Abdixhiku.

Ai akuzoi rivalët politikë për kontroll të plotë mbi ndërmarrjen publike “Pastrimi”, e cila, sipas tij, po vepron jashtë menaxhimit të Komunës së Prishtinës dhe refuzon të punojë për pastrimin e qytetit. Sipas Abdixhikut, e njëjta ndërmarrje po bojkoton me qëllim shërbimet, ndërkohë që në Asamblenë Komunale pengohet edhe përpjekja për të angazhuar kompani të tjera alternative për pastrim.

“Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu,” u shpreh ai duke shtuar se përkundër sabotimeve, Komuna ka marrë masa të menjëhershme dhe ka angazhuar kompani të tjera për pastrimin e qytetit. Sipas tij, për një javë Prishtina do të pastrohet, së bashku me logjikën e sabotimit politik.

Në fund, Abdixhiku theksoi se qytetarët e Prishtinës janë të vetëdijshëm për këto “praktika primitive të politikës së vjetër” dhe se ato nuk kanë vend në kryeqytet.

“Prishtina ecë,” përfundoi ai duke dhënë sinjal se përkundër pengesave, qeverisja komunale do të vazhdojë me punë konkrete në shërbim të qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP