Abazoviq tregon pse nuk ka stabilitet politik në Mal të Zi

Mali i Zi aktualisht është mes dy grupeve – njëri i mishëruar në krimin e organizuar e korrupsioni dhe tjetra që nuk janë në përputhje me vlerat euroatlantike, tha kryeministri në largim, Dritan Abazoviq, duke shtuar se ky është shkaku i paqëndrueshmërisë politike.

Në Forumin e 12-të 2BS në Budva, Abazoviq tha se ende nuk ka stabilitet politik në Mal të Zi sepse është dashur të kënaqin vullnetin e qytetarëve për ndryshime, dhe në anën tjetër t’i përshtaten kursit politik të vendit.

“Kjo është arsyeja pse është e vështirë të gjesh një ekuilibër. Mali i Zi aktualisht është mes një grupi të mishëruar në krimin e organizuar dhe korrupsionin, i cili në mënyrë deklarative, por jo në thelb, mbështet BE-në, pra grupin rreth presidentit të shtetit”, tha Abazoviq.

Ai shtoi se nga ana tjetër ka një grup që ka një orientim politik të jashtëm që nuk është në përputhje me vlerat euroatlantike, siç është Fronti Demokratik.

I pyetur nëse lideri i asaj aleance politike, Andrija Mandiq është alternativë, ai u përgjigj negativisht, raporton vijesti.

“Andrija Mandiq nuk është alternativë, por duke qenë se as Milo Gjukanoviq nuk është alternativë, atëherë keni destabilitet politik logjik. Duhet të gjesh një ekuilibër mes kësaj, që është nevoja që shoqëria të ndryshojë dhe të mos devijojë nga ato që janë qëllimet strategjike”, tha Abazoviq.

Ai tha se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është prioritet i Qeverisë, duke shtuar se rezultatet janë shumë të dukshme dhe të vlerësuara në raportet e Komisionit Evropian, përveç në segmentet e klaneve kriminale në Mal të Zi.

Go to TOP