Osmani për REL: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se mësimdhënësit në Kosovë duhet të paguhen, nëse ka një premtim për kompensimin e planit mësimor të humbur gjatë grevës në muajin shtator.

Gjatë një interviste në Pragë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës përmendi edhe përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë më 6 tetor.

Osmani tregoi se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e “mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Ndër tjerash ajo foli për dialogun me Serbinë. Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Osmani tha se është “optimiste e kujdesshme”.

Ndërkaq, sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani theksoi se ai vendim bazohet “në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit” dhe shtoi se Kosova duhet të jetë “e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë”.

Go to TOP