Abazoviç: Ndikimi rus në Ballkan është prej disa dekadave

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një prononcim për mediat shqiptare pas promovimit të librit të tij në Tiranë, “Kritika e Etikës Globale”, është ndalur te ndikimi rus në Malin e Zi, për të cilin tha se është prezent prej dekadash.

Por, Abazoviç shtoi se Mali i Zi e ka përballuar shumë mirë situatën, ndërsa theksoi se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin rus, është shtimi i influencës evropiane dhe amerikane.

“Çdo sanksion ndaj Rusisë në Bruksel, i është vendosur dhe në Podgoricë. Mali i Zi është një nga tri  shtetet evropiane që kemi nënshkruar dhe një deklaratë speciale me presidentin ukrainas Zelensky para një muaji. E gjithë biseda ime ishte për sanksionet. S’mund të ndaloj lajmet e rreme”, deklaroi Abazoviq.

Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, sipas tij, është absolutisht prezent.

“Është prezent me dekada dhe ka qenë historikisht. Ka gjëra shqetësuese, por ne e menaxhuam mirë situatën lidhur me ndikimin rus në Malin e Zi. Ne kemi shpallur non grata shumë prej diplomatëve rusë dhe do e menaxhojmë dhe në të ardhmen. Dhe mënyra më e mirë për t’u luftuar influenca ruse është më shumë influencë evropiane, influencë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, u shpreh Abazoviq.

Go to TOP