Abazi për rastin e ambasadorit Martin Berishaj: Lojë e pistë e Janez Jansha në fushatë elektorale

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë se puna e fushatave elektorale në Slloveni është bërë një punë e pistë.

Lidhur me raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është i përfshirë në një skandal financiar në Slloveni, Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë se puna e fushatave elektorale në Slloveni është bërë një punë e pistë.

Kështu është shprehur Abazi kur është pyetur se a duhet të shkarkohet ambasadori Berishaj, pas raportimeve të mediave sllovene, ku thuhet se Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku paratë e dërguara nga një kompani serbe transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori vetë Martin Berishaj.

“E vërteta është se ka pasur një fushatë elektorale në Slloveni dy ditë para zgjedhjeve, Janez Jansha, ka përdorur krejt armatimin e tij siç është bërë zakon nga ata që e shohin vetën në anën e humbësit për të përdorur arsenalin kundër kandidatit për kryeministër dhe në këtë arsenal ka përdorur edhe emra edhe situata edhe marrëdhënie të cilat ka menduar që mund ta bëjnë kandidatin e kundërt të duket më keq më dobët”, ka thënë ai.

Sipas tij, fatkeqësia e kësaj është se është bërë një “lojë e ndytë e pistë kjo puna e fushatave sidomos kur vie nga një kamp që është i lidhur me rrjetet të cilat e kanë përdorur pozicionin e tyre politik”, shtoi Abazi.

Siç theksoi Abazi, ata të cilët degradojnë prej pozitës së heroit nga pozita e atyre që shkatërrojnë bazën ekonomike prodhuese të vendit të tyre sigurisht që elektorati do t’i godasë.

Ndryshe, Berishaj, për të cilin u përfol në media që është i përfshirë në një skandal financiar në shtetin e Sllovenisë, ka thënë të premten se akuzat ndaj tij nuk janë të vërteta.

Berishaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do ta padisë portalin i cili sipas tij ka shpifur ndaj tij

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes të akterëve kryesorë politikë, i z.Janša dhe z.Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit të gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetën. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe të vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, kishte shkruar Berisha.

Sipas mediave sllovene, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku paratë e dërguara nga një kompani serbe transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Tërheqja e parave nga ambasadori Berishaj, sipas mediave sllovene, ishte bërë nga dy xhirollogari.

Go to TOP