Tashmë e zakonshme në Prishtinë: Alarmi për bombë del i rremë, Ramë Lahaj fillon koncertin

Siç është bërë rutinë kohëve të fundit, Policia e Kosovës është njoftuar se në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë është vendosur një bombë.

Aty po mbahej koncerti i tenorit Rahmë Lahaj që është ndërprerë nga policia.

Njësitet kompetente të policisë së Kosovës kanë rrethuar objektin dhe kanë kontrolluar me qenë.

Pas kontrolleve të detajuara të policisë, bëhet e ditur se nuk është gjetur asgjë dhe se koncerti ka vazhduar.

Duhet theksuar Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Muaj më parë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për alarmet e rreme për bombë por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim.

Policia, nuk ka treguar nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Go to TOP