AAK dhe VV zyrtarizojnë koalicionin në Viti

Pas disa ditësh konsultimesh ndërmjet dy degëve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë nënshkruar sot në mëngjes marrëveshjen e koalicionit në nivel lokal në komunën e Vitisë, raporton Kosova.info.

Në njoftimin e përbashkët thuhet se marrëveshja erdhi pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet e dy subjekteve. Me këtë rast, përfaqësuesit e AAK-së i kanë zgjatur dorën kandidatit për kryetar të komunës, Arsim Ademi.

“Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e pozicionimit tonë kundër të keqes në Viti, që me emër thërrasim Sokol Haliti”, thuhet në deklaratë.

AAK thekson se dega e saj në Viti asnjëherë nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve politike dhe se gjithmonë ka pasur qëndrime të qarta përballë sfidave. “Situata aktuale kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh guximin tonë për të qenë pjesë aktive e proceseve politike dhe për t’i shtyrë përpara vlerat e nevojshme për qytetarët tanë”, thuhet më tej.

Dy partitë paralajmëruan se shumë shpejt do të publikojnë një shkrim të detajuar për ta sqaruar qëndrimin e tyre politik para opinionit publik.

Në fund të kumtesës, ata përfundojnë me mesazhin: “Na priftë e mbara.”/Kosova.info/

Go to TOP