A po rrezikohet buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2025?

Në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, gjatë muajit shtator u mbajtën dy seanca të jashtëzakonshme, por dështuan të votojnë buxhetin për vitin 2025 për shkak të mungesës së kuorumit. Nëse buxheti nuk miratohet deri në dhjetor, komuna do të mbetet me buxhetin e vjetër për vitin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, deklaroi se shkaku kryesor i dështimit ishte mungesa e votave nga opozita, përfshirë LVV dhe PDK, të cilat e konsideruan buxhetin të pamjaftueshëm. Ai theksoi se ky buxhet është për qytetarët e Prishtinës dhe përfshin të gjithë territorin e komunës, duke shtuar se votat e opozitës nuk mjaftuan për ta çuar çështjen përpara.

Nga ana tjetër, asambleisti i LVV-së, Besart Krasniqi, akuzoi pozitën se vetë ata po bllokojnë procesin, pasi mungonin edhe asamblistë të LDK-së në sallë. Krasniqi shtoi se opozita ka dhënë vërejtjet e saj, veçanërisht për zbritjen e buxhetit në drejtori të rëndësishme si Shëndetësia, Sporti, Kultura dhe Bujqësia, si dhe për mospërfshirjen e lagjeve dhe fshatrave në investime.

Krasniqi gjithashtu theksoi se qytetarët e Prishtinës po përballen ende me probleme të tjera të rëndësishme, si mbeturinat, qentë endacakë dhe trafikun, që po ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme.

Buxheti i parashikuar për vitin 2025 kap vlerën e 128 milionë euro.

Go to TOP