A do t’i shkojë opozita Molliqajt në takim koordinues, flasin na PDK dhe AAK
AAK do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Dardan Molliqaj i PSD-së për koordinim opozitar ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës. Ndërkaq, Faton Abdullahu nga PDK tha se partia më e madhe opozitare vlerëson se veprimet e tyre janë rruga që duhet ndjekur për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës dhe jo protagonizmat personalë duke lënë të kuptohet se s’do të marrin pjesë në takim. Nga LDK-ja s’kanë pranuar të flasin nëse do të marrin pjesë.
Lulzim Blaka nga AAK tha se në takimin e ftuar nga kreu i PSD-së, do të përfaqësohen nga nënkryetari Ahmet Isufi.
“Në takimin e thirrur nga PSD, për të diskutuar rreth shtrenjtimit të energjisë, AAK do të përfaqësohet nga nënkryetari Ahmet Isufi”, tha ai.
Ndërkaq zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu tha se vlerëson edhe partitë jashtë parlamentit por që veprimet e subjektit më të madh opozitar janë ato që duhet ndjekur duke nënkuptuar se s’do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga PSD-ja.
“Ne, si PDK po diskutojmë edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit për të kundërshtuar vendimin skandaloz të ZRRE-së dhe të Qeverisë Kurti dhe shpresojmë se ato do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njejtë me këtë kundërshtim. Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitët jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të cmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personalë”, tha Abdullahu .
Ai tha se PDK e ka ngritur çështjen e energjisë nga shtatori dhe s’e kanë bërë vetëm për protagonizëm politik.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur çështjen e krizës energjetike dhe rritjes së cmimit të energjisë që nga shtatori i vitit të kaluar dhe nuk e kemi bërë këtë për protagonizëm politik, por si obligim qytetar për të trajtuar një cështje që e rëndon mirëqenien e çdo familjeje kosovare. Na vjen mirë që për këtë temë kemi arritur që të kemi koordinim dhe harmonizim të opozitës në Kuvendin e Kosovës, gjë që po vazhdon edhe tash, si me ftesën e seancës së ardhshme të jashtëzakonshme”, tha ai.
Pas vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, Dardan Molliqaj i PSD-së u ka bërë thirrje krerëve të partive opozitare për një takim koordinues për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Takimi i thirrur është ftuar për sot në ora 13:00.
