A do të mbetet pa energji Europa?

Vendimi i fundit i kancelarit gjerman Olaf Scholz për të pezulluar “Nord Stream 2” – gazsjellësi i ri që synon të eksportojë sasi të mëdha gazi rus drejt Bashkimit Evropian – nuk do të sjellë në fakt asnjë ndryshim për sigurinë energjetike evropiane, të paktën në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Situata mund të imponojë një rishikim të strategjisë energjitike në periudhën afatgjatë nga ana e Berlinit, por çështja më e madhe me të cilën po përballen sot tregjet energjitike, është nëse Rusia do ta kufizojë apo jo fluksin ekzistuese të gazit në Evropë.

Scholz e urdhëroi të martën Ministrinë Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Veprimit Klimatik që të mos lejojë që gazsjellësi i ri në Detin Baltik të fillojë pompimin e gazit të paktën “për momentin”.

Ndërprerja e procesit të certifikimit e lë në pritje këtë projekt, por nuk e anulon atë fare, duke e lënë derën hapur për certifikimin në të ardhmen. Kjo gjë mund t’i ofrojë Berlinit një mekanizëm të rëndësishëm në çdo negociatë të ardhshme me Rusinë. Por kjo i përket një kohe të dytë.

Ndërkohë ngjarjet në Ukrainën Lindore po zhvillohen me shumë shpejtësi. Trupat ruse po vendosen në rajonin e Donbasit pasi Kremlini njohu “pavarësinë” e territoreve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut. Pezullimi i certifikimit të “Nord Stream 2” është një akt politik shumë i rëndësishëm për Scholz, që vetëm këtë muaj nuk pranoi që ta anulonte atë edhe kur iu bë presion gjatë një takimi të përbashkët me presidentin amerikan Joe Biden.

Presidenti amerikan u zotua t’i japë fund “projektit”. Por Scholz u tregua shumë më ngurues në lidhje me këtë çështje, duke thënë vetëm se Gjermania është “gati të vendosë sanksionet e nevojshme nëse do të ketë një agresion ushtarak kundër Ukrainës”.

Koha për këtë gjë ka ardhur, dhe Komisioni Evropian thuhet se po përgatit sanksione kundër Moskës si një hakmarrje për sulmin ndaj Ukrainës. Fati i “Nord Stream 2” është të paktën tani për tani i parëndësishëm.

Tregjet e energjisë e kishin vlerësuar tashmë mosdisponueshmërinë e gazit shtesë nga Rusia, që kur Gjermania e shtyu certifikimin e projektit nëntorin e vitit të kaluar. Tani shtyrja e re është e papërcaktuar në kohë. Por ironia është se kryeqytetet evropiane janë ndarë për vite me radhë pikërisht për shkak të “Nord Stream 2”, edhe pse kanë përdorur gazin rus që rrjedh përmes “Nord Stream 1”.

Gazsjellësi i parë, që ndjek një trajektore gati identike me të dytin tashmë të pezulluar, po punon gati me kapacitet të plotë për të përmbushur kontratat që ka lidhur kompania ruse “Gazprom” me klientët e saj evropianë.

Prandaj argumenti se Gjermania duhet të pezullojë “Nord Stream 2” për të shmangur mbështetjen në gazin rus është i diskutueshëm; dhe vendi në tërësi dhe sektori jetik i prodhimit, thjesht nuk mund të funksionojë dot pa të. Problemi më i madh me të cilën përballet sot Gjermania, është nëse përshkallëzimi luftarak i Moskës do të çojë në një ndërprerje të furnizimeve përgjatë linjave ekzistuese të eksportit të gazit rus dhe jo në linjat e ardhshme.

“Gazprom” i tronditi tregjet energjetike të BE-së kur refuzoi të dërgojë furnizime shtesë vjeshtën e vitit të kaluar. Kjo gjë bëri që çmimet të shënonin shifra rekord. Sigurisht, “Gazprom” nuk është i detyruar që të dërgojë gaz shtesë, por tregjet e gazit në union janë mësuar me këtë gjë kur rriten çmimet.

Kjo është sjellje shumë e pazakontë kur ekziston mundësia e fitimeve të mëdha që mund të realizohen duke shfrytëzuar situatën. Rrjedhimisht, kontratat e ardhshme mbi gazin që  tregtohet në vendet kryesore të BE-së kanë ende çmime jashtëzakonisht të fryra.

Çmimet rekord të gazit shkaktuan një garë të fortë midis Evropës dhe Azisë për ngarkesat rezervë të gazit natyror të lëngshëm (LNG), të cilat i shiten ofertuesit më të lartë. Azia e fiton gjithmonë këtë betejë,duke e blerë gazin me normën aktuale të tregut, derisa të plotësohet kapaciteti i saj i magazinimit.

Vetëm kur çmimet në Evropë rriten mbi çmimin e LNG-së në Azi, cisternat ndërrojnë kurs dhe shkojnë drejt terminaleve të Britanisë së Madhe dhe të vendeve të tjera evropiane. Ky ndryshim ndodhi për pak kohë dhjetorin e vitit 2021, kur dhjetëra ngarkesa me gaz natyror të lëngshëm mbërritën në portet evropiane disa javë më vonë.

Aktualisht terminalet e BE-së tani po shkarkojnë dhe magazinojnë sasi LNG-je me një ritëm rekord, gjë që do të thotë se nuk ka shumë kapacitete rezervë për të ruajtur më shumë sasi gazi nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Për më tepër, Gjermania nuk ka asnjë terminal për të magazinuar LNG-në e importuar, ndaj detyrohet që të furnizohet me gaz nga portet e tjera evropiane. Dhe kjo është arsyeja pse furnizimet me gazin rus përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” janë kaq shumë të rëndësishme.

Nëse ndërpriten ato, kufizimet e infrastrukturës gjermane në këtë fushë, nënkuptojnë se transportimi i gazit nga diku tjetër përveç Rusisë, nuk mund ta mbushë dot boshllëkun. Ndërkohë, nuk ka shumë LNG rezervë që qarkullon në tregun global, teksa përpjekjet e BE-së për t’i nxitur aleatët ndërkombëtarë që të dërgojnë më shumë furnizime drejt kontinentit nuk kanë qenë dhe aq të suksesshme.

Përveç kësaj, cisternave me gazin e lëngshëm u duhen disa javë që të përfundojnë udhëtimet e tyre transoqeanike. Prandaj,nëse Rusia mbyll rubinetet e gazit, mund të fiken dritat në pjesën më të madhe të Gjermanisë dhe Evropës Lindore dhe Jugore.

Rritjet pasuese të çmimeve në tregjet energjitike të BE-së, do të bëjnë që luhatshmëria rekord e çmimeve në dhjetor do të duket shumë modeste e krahasuar me situatën e re. Dhe e gjitha kjo po ndodh në kohën kur Gjermania po e ndërpret në mënyrë progresive qasjen e saj në forma të tjera të energjisë, siç është ajo bërthamore.

Ajo mbylli 3 reaktorë në fundin e vitit 2021, dhe do të mbyllë këtë vit termocentralet e saj të fundit bërthamore. Po ashtu qeveria e re në Berlin, dëshiron të përshpejtojë mbylljen e termocentraleve me qymyr deri në vitin 2030, një plan që shumë ekspertë e shohin si shumë ambicioz.

Me heqjen dorë nga energjia bërthamore dhe ajo e qymyrit, dhe me pikëpyetjet e mëdha që varen tashmë mbi besueshmërinë e gazit rus, Gjermania po përballet me probleme serioze kur është fjala për balancimin e rrjetit energjitik dhe garantimin e ngrohjes së shtëpive të qytetarëve.

Pezullimi i “Nord Stream 2” vetëm sa i bën më të ngutshme këto pyetje. Axhenda e BE-së për klimën, parashikon një rënie të shpejtë të konsumit të gazit në Evropë, qoftë nga Rusia apo kudo tjetër. Por alternativat e energjisë së rinovueshme do të kërkojnë kohë për t’u zgjeruar.

Ajo që do të ndodhë në këtë periudhë, do të ketë një ndikim shumë të madh mbi konkurrencën industriale në Evropë, vendet e punës, inflacionin dhe koston e lartë të jetesës për miliona konsumatorët më të prekshëm.

Go to TOP