Çmimet në “qiell”/ Opozita fajëson pushtetin, ekonomistët kërkojnë caktimin e çmimit tavan
Ekonomia e Kosovës vazhdon të ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme.
Inflacioni me normën dyshifrore ka qenë problemi kryesor për ekonominë e Kosovës për vitin 2022, e që po vazhdon edhe gjatë këtij viti.
Vetëm në muajin shkurt inflacioni shkoi në 12.1%.
Deputeti i PDK-së: Inflasioni vështirë i përballueshëm, Qeveria të veproj
Se duhet të ketë rënie më të madhe të çmimeve në produkte bazë e thotë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.
Shala tha për Front Online se është e nevojshme për qytetarët të ketë ulje të çmimeve.
Ai thotë se Qeveria duhet ta bëjë të pamundurën për t’i normalizuar çmimet.
“Është e domosdoshme që të ketë ulje të çmimeve bazë, është shumë e vështirë të përballohet edhe rritja e inflacionit në vend. Duhet të bëj Qeveria çka është e mundur që të gjejmë mundësi dhe hapësirë të pranueshme tregtare dhe ekonomike që çmimet të normalizohen, është shumë e nevojshme për qytetarët”, u shpreh Shala.
Kjo është arsyeja që sipas deputetit të PDK-së, nuk vlerësohet prodhimi vendor në Kosovë.
“Mungesa e politikave të qarta fiskale ka krijuar një situatë të tillë që nuk është e lehtë të vlerësohet prodhimi vendor dhe pasi është lënë në dorën e atyre që janë prodhues. Nuk kanë informacione të qarta as aftësi të institucioneve shtetërore për të nxjerr rekomandime dhe qëndrime të mirëfillta për koston e prodhimit dhe për marzhën e fitimit”, theksoi Shala.
Deputetja e LDK-së: Qeveria Kurti duhet urgjentisht të mbështesë prodhimin vendor
Në lidhje me prodhuesit vendor në vend ka folur edhe anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Ajo ka hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për mos-mbështetjen e prodhuesve vendor.
Bunjaku-Rexhepi thotë se prodhuesit janë ndihmuar vetëm nga LDK-ja.
Ajo thotë se Qeveria urgjent duhet të mbështesë këtë kategori.
“Prodhuesi kosovar nuk mund të bëjë asgjë pa u mbrojtur në kufi. Vetëm merrne shembull Zvicrën, të dënon nëse merr më shumë se ca kilogramë mish në marketet e Gjermanisë dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e blegtorit zviceran. Gjithashtu, vetëm në kohën e Qeverisë së LDK-së, prodhuesi vendor u mbështet me masën e famshme. LVV-ja erdhi në emër të prodhuesit vendor dhe nuk bëri asgjë ta ndihmojë atë, veçmas në inflacion. Ku mundet prodhuesi kosovar të garojë me prodhuesin slloven të qumështit e kosit?! Qeveria duhet urgjentisht të mbështesë prodhimin vendor”, u shpreh deputetja e LDK-së.
Raçi: Çmimi tavan të përcaktohet nga Qeveria për produktet elementare
Se duhet të ketë ulje të çmimeve në Kosovë, po e thonë edhe ekonomistët.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Imer Raçi thotë se gjatë këtij viti nuk ka pasur ulje të çmimeve.
Ai tha për Front Online se Qeveria duhet urgjent të përcaktojë çmimin tavan për produktet elementare.
“Nëse e krahasojmë vitin 2023 me vitin 2022 kemi pasur një rritje të lehtë të çmimeve, por nëse e krahasojmë vitin 2023 me vitin 2021 atëherë ne nuk kemi të bërë me rënie të çmimeve gjatë këtij viti. Duhet të ulen çmimet, por tek ne edhe po keqpërdorët tregu prej bizneseve. Çmimi tavan urgjent duhet të përcaktohet nga Qeveria për produktet elementare”, tha Raçi.
Raçi thotë se nëse prodhuesit vendor vazhdojnë me rritje të çmimeve, nuk do të kenë më konsumatorë vendor.
“Nëse prodhuesit vendor vazhdojë me çmime më të larta, konsumatori do të lodhet dhe nuk do të përdor më produkte vendore se kanë me u mundur me i gjetë çmimet më të ulëta për ta arritur standardin jetësor”, thotë ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt 2023 me të njëjtin muaj të një viti më parë ishte 10.5%.
