Hapet afati për deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publik, shtohen edhe kategori të tjera
Nga data 1 deri më 31 mars 2023, zyrtarët publik në Kosovë do të jenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Gjatë këtij viti obligimin për deklarim të pasurisë do ta kryejnë edhe disa kategori tjera.
Front Online merr vesh se janë duke u bërë përgatitjet që deklarimin e pasurisë ta bëjnë edhe inspektorët e hetuesit policorë, si dhe ata doganor. I gjithë procesi për deklarimin e pasurisë të këtyre kategorive pritet të nisë në muajin maj.
AKK-ja gjithashtu në fund të vitit pritet ta hap afatin për deklarimin e pasurisë për mjekët dhe profesorët.
Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Deri më tash, duke mos përfshirë mjekët dhe profesorët, deklarimin e pasurisë në Kosovë e kanë bërë rreth 5 mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
