Familja e Bruce Willis njofton se aktori është diagnostikuar me demencë
Familja e aktorit të njohur Bruce Willis, ka njoftuar se ai është diagnostikuar me demencë frontotemporale.
Përmes një njoftimi në mediat sociale, familja e tij kanë thënë se ishte “lehtësim një diagnozë e qartë”.
Pranverën e kaluar, 67-vjeçari ishte diagnostikuar me afazi – e cila shkakton vështirësi në të folur – por sipas familjes së tij, kjo ka përparuar dhe tani atij i është dhënë një diagnozë më specifike.
Duke folur për diagnozën e aktorit, familja ka thënë se demenca frontotemporale është forma më e zakonshme e demencës tek njerëzit nën 60 vjeç.
“Sot nuk ka trajtime për sëmundjen, një realitet që shpresojmë se mund të ndryshojë në vitet në vijim,”- është thënë me tej në njoftimin e tyre.
Willis u bë një emër i njohur në vitet 1980 dhe 90 pasi luajti në filma të suksesshëm si Die Hard, The Sixth Sense, Armageddon dhe Pulp Fiction.
Aktori gjithashtu është nominuar për pesë Golden Globes – duke fituar një për Moonlighting – dhe gjithashtu është nominuar për tre Emmy, ku ka fituar dy.
Megjithatë, vitin e kaluar familja e tij pati njoftuar se Willis do të hiqte dorë nga aktrimi, pasi afazia e tij po ndikonte në aftësitë e tij njohëse. Ndërsa, në deklaratën e fundit ata kanë thënë se shpresonin që vëmendja e medias do të rriste ndërgjegjësimin për gjendjen e aktorit.
Njoftimi ishte nënshkruar nga anëtarët e familjes së Willis, duke përfshirë gruan e tij Emma Heming – me të cilën ai ka dy vajza – dhe ish-gruan e tij Demi Moore dhe tre vajzat e tyre.
Ndërkohë, sipas faqes së internetit të NHS në Mbretërinë e Bashkuar, demenca frontotemporale është një formë “e pazakontë” e sëmundjes që i shkakton të sëmurit probleme me sjelljen dhe gjuhën.
Simptomat përfshijnë gjithashtu lëvizje të ngadalta ose të ngurtësuara, humbje të kontrollit të fshikëzës ose zorrëve – edhe pse kjo priret të ndodhë më vonë – dhe dobësi të muskujve.
