Skenderaj i kërkon mbi 12 milionë euro Qeverisë për dëmet nga vërshimet
Mbi 12 milionë është shuma që komuna e Skenderajt kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kompensimin e dëmeve, pas vërshimeve që ndodhën para një muaji.
Kreu i kësaj komune, Fadil Nura ka thënë sot se janë në fazën finale të deponimit të kërkesës për ekzekutivin.
Nura tha për Front Online se të hënën do t’i përcjellin Qeverisë raportin e vlerësimeve të vërshimeve.
“Sot kam qenë në komision dhe nuk janë gati ende edhe disa fotokopje, po të hënën do t’ia përcjellim Qeverisë raportin e vlerësimit të vërshimeve. Mbi 12 milionë është dëmi i vërshimeve në komunën tonë. Kjo është përgjegjësi e Qeverisë sa do të ndihmojnë nuk e di por ne si komunë sa kemi mundësi do të ndihmojmë por mundësitë e tona si komunë janë shumë të kufizuara”, deklaroi Nura.
Kreu i Skenderajt, tha se më të prekurit nga vërshimet janë ekonomitë familjare.
Ai bëri të ditur edhe shifrën e grumbullimeve të të hollave në Fondin Emergjent të vërshimeve në këtë komunë.
“Pas vërshimeve gjendja është jo stabile, sepse vërshimet kanë lënë shumë pasoja dhe dëme materiale si në ekonomi familjare, në biznese ashtu dhe në prona bujqësore. Në fondin emergjent janë grumbulluar deri tani 340 mijë euro.”, theksoi Nura.
Ndryshe, të enjten e 19 janarit komuna e Skenderajt pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas situatës së rënduar nga vërshimet.
Komunat më të prekura nga reshjet e shiut në Kosovë janë: Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu dhe Podujeva.
