FSK-së i shtohen edhe 31 oficerë të rinj
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë ceremonisë së diplomimit të 31 oficerëve ka thënë se FSK-ja është krenaria e Kosovës.
Ai, ndër të tjera, ka thënë se oficerët janë shtylla mbi të cilën vazhdon avancimi i FSK-së, teksa tha se duhet angazhuar maksimalisht për t’u integruar në NATO.
“Si oficerë të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj, ashtu edhe për grupin që do udhëhiqni.
Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit”, u shpreh Mehaj ndër të tjera.
Mehaj gjatë fjalimit të tij përmendi edhe kontributin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e tërmetit në Turqi.
“Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë! Janë ushtarakët tanë të Qendrës së Kërkim-Shpëtimit ata që po operojnë në Hatay kur aleati ynë turk ka më së shumti nevojë. Jeni ju që në vazhdimësi keni treguar profesionalizëm të lartë në çdo garë e trajnim ndërkombëtar. Janë ushtarakët e FSK-së ata që kanë asistuar misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëve afganë”, theksoi ai.
