Ligji për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, frika nga zgjedhja e drejtorit politik
Kuvendi i Kosovës, sot i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
I njëjti ka marrë votat e 66 deputetëve, derisa asnjë nuk ka votuar kundër e po ashtu nuk ka abstenuar.
Me këtë ligj rregullohet mënyra dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe themelimi, organizimi dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Hoxha: Ligji për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë s’do t’i shpëtojë Kushtetueses
Lidhur me miratimin e këtij projektligji për Front Online, ka folur juristi Valdet Hoxha.
Ai, ka thënë se derisa ky ligj është i një rëndësie të veçantë, do të mund të dërgohet edhe në Kushtetuese.
“Meqë, ky ligj është i një rëndësie të veçantë, kam bindjen se nuk do t’i shpëtojë dërgimit në Gjykatën Kushtetuse dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë do t’i nënshtrohet një filtri nga Kushtetuesja dhe eventualisht nëse ka ndonjë ambiguitet apo kolizion, edhe mund të përmirësohet në nene të caktuara”, ka thënë Hoxha, për Front Online.
Thotë se vërejtjet e Komisionit të Venecias e kanë përmirësuar këtë ligj.
“Në bazë të diskutimit publik të neneve të caktuara të këtij ligji, konsiderojë që me gjithë vërejtjet e Komisionit të Venecias e kanë përmirësuar dhe sqaruar dukshëm pjesë të caktuara të ligjit. Ende, ka disa probleme të cilat nuk kanë qartësi të duhur dhe mund të interpretohen ndryshe si p.sh., të hyrat nga remitancat( familjarët që jetojnë jashtë dhe dërgojnë të hyra për familjet e tyre), pastaj çështja e dorëzimit të provave në procedurë civile, a mund të përdorën si provë në procedurë penale dhe çështje të tjera”, është shprehur ai.
Hoxha, si problem e sheh zgjedhjen e drejtorit të Byrosë.
“Problem e shoh çështjen e zgjedhjes së drejtorit të Byrosë, e cila sipas ligjit do të zgjidhet nga 61 deputetë, pra më shumicë të thjeshtë dhe kjo gjë edhe mund të ketë risk të përzgjedhjes dhe ndikimit politik, apo të paktën të interpretohet si e tillë”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.
Kurse, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj ka thënë për Front Online se janë në pritje që të kenë draftin final të ligjit.
“Po presim që ta kemi draftin final të ligjit. Pastaj, mund të flasim më shumë për përmbajtje”, ka thënë shkurt ai.
Ndërsa, përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka treguar se kujt do të mund t’i konfiskohet pasuria me ligjin për Byronë.
“E tash si të hyn ligji në fuqi, si të funksionalizimet agjencia, oligarkët që kanë mbi 25 mijë Euro dhe nuk munden me i arsyetu, pasuria Ju konfiskohet. Deri në fund të vitit duhet me i pa rezultatet e para të këtij ligji. Tash sa më pak fjalë e më shume vepra/rezultate”, ka shkruar ai.
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Pasurinë e Pajustifikueshme.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj, ka thënë se ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka falënderuar deputetët që i dhanë dritën e gjelbër këtij Projektligji.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e miratuan në lexim të dytë Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu shtoi se opinionet e Komisionit të Venecias janë garanci e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Byrosë.
