Zeqiri thotë se policët e larguar nga veriu ishin me sëmundje kronike
Misioni paqeruajtës i KFOR-it, ka bërë të ditur të martën se që nga vendosja e barrikadave në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, ka transportuar 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë.
“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar me tokë 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, ka thënë KFOR-i për Kanal 10.
Këtë deklaratë të KFOR-it po e kundërshton, Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Zeqiri tha për Front Online se policët që janë tërhequr nga Jarinje nuk janë sëmurë, por kanë qenë me sëmundje kronike.
Ai thotë se anipse policët po përballen me kushte të vështira në veri, ata nuk kanë shprehur shqetësime.
“KFOR-i dhe kushdo që ka thënë që janë sëmur policët e kanë shumë gabim. Policët janë tërhequr dje nga Jarinja kanë qenë me sëmundje kronike dhe që kanë qenë më terapi të vazhdueshme duke përdor edhe para se me shkuar atje. Përkundër kushteve të vështira që i kanë asnjë polic nuk është sëmur ani pse janë që 12 ditë dhe kjo ka kaluar çdo normalitet. Ne jemi të shqetësuar se mund të sëmuret ndonjë policë në ato kushte”, tha Zeqiri për Front Online.
Kreu i sindikatës së policisë theksoi se përkundër tërheqjes së disa policëve ende nuk janë zëvendësuar të tjerët.
Sipas Zeqirit, zyrtarët policorë kanë probleme me higjienën dhe fjetjen, e jo me ushqimin.
“Policët ende nuk janë zëvendësuar për shkak se KFOR-i po heziton dhe nuk po na asiston por ne do të bëjmë atë ndërrim pasi i kemi bërë disa kërkesa dhe jemi në pritje të aprovimit të kërkesave, jo tërheqjen po ndërrimin e policëve. Ushqim kanë të mjaftueshëm e kanë problemin e fjetjes dhe higjienës personale por po ja dalin disi me vullnetin që e kanë për t’i kryer detyrat e veta”, u shpreh Zeqiri për Front Online.
Policët në veri të vendit tash e 12 ditë kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave.
Kjo gjë ka ngritur shqetësime edhe te partitë opozitare.
Kritikat janë se shërbimin që e ka kryer KFOR-i është përgjegjësi e institucioneve, derisa nga qeveria kanë thënë se po diskutohet se të ndihmohen policët që po përballen me situatën e tensionuar në veri.
