Vendoset një barrikadë tjetër në drejtim të Zveçanit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në mbrëmjen e së premtes është vendosur edhe një barrikadë e re në një lagje që çon për në Zveçan.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues po angazhohet në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.

Go to TOP