Osmani cakton 23 prillin datë për zgjedhje, në komunat veriore
Presidentja Vjosa Osmani gjatë konferencës për media ka bërë të ditur se zgjedhjet në komunat veriore do të mbahen në muajin prill.
Pas konferencës zyra për informim e Presidencës ka bërë të ditur edhe datën përmes një komunikate për media.
“Presidentja Osmani cakton 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.
Sipas Osmanit ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.
“Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re”, thuhet tutje në komunikatë./Kosova.info
