“M’i montuan rastet”, ish-ushtari e padit FSK-në, kërkon rreth 100 mijë euro dëmshpërblim
“Si me e hekë një copë të shpirtit”, kështu e përshkruan dorëzimin e uniformës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Driton Imami.
Uniformën të cilën e veshi për herë të parë më 4 maj të 2009-ës, ai u detyrua ta dorëzojë më 13 qershor të 2022-ës, pasi që bordi i FSK-së vendosi për përjashtimin e tij nga ky institucion.
“Huuh, 13 vite në uniformë është sikur me e dorëzu një pjesë të shpirtit dhe me e lon aty. Mirëpo, për këtë arsye është ajo që po luftoj dhe deri në pikë të fundit kom me luftu”, tha ai për KIKS Kosovën.
Në këtë vendim, bordi i FSK-së nuk dha asnjë arsyetim të vetëm se pse e largoi Imamin nga ky institucion.
“Vendimi ka qenë shumë qesharak dhe arbitrar, thjesht ka qenë me i tregu forcat. Fatkeqësia jem u kon e vetmja që jam gjenerata e parë dhe nuk kemi pasë ngjoftësi dhe fatkeqësisht nuk jemi mbi 7-80 veta.”
Para se të përjashtohet, Imami u suspendua nga FSK-ja më 17 mars, vetëm pesë ditë pas rastit për të cilin ai u denoncua në Polici.
Imami thotë për KIKS-in se e gjitha nisi më 12 mars, kur eprori i tij, Aldenis Krasniqi, pretendon se u kërcënua verbalisht nga ai.
Këtë rast, të cilin Imami beson se është i montuar, Krasniqi e raportoi në stacionin e Policisë së Kosovës në Pejë e jo në Policinë e Forcës, çka përbën shkelje të Kodit Disiplinor të FSK-së.
“Kanosja nuk ekziston, sepse kanosja nuk është vërtetuar dhe nuk është marrë askush me të, se thjesht ne jemi kanë bashkë, vetëm. Me pasë dasht na kishim mujt çkado me i bo, mirëpo si një pjesëtar goxha i ledhatum, thjeshtë një kolonel nuk ka dashtë me ra shibël në to.”
Në ditën kur Krasniqi pretendon se ndodhi kanosja, Imami thotë se ka qenë ndihmës në Regjimintin e dytë të këmbësorisë, ndërsa Krasniqi oficer kujdestar në Komandave e Forcave Tokësore.
Pavarësisht kësaj, Bordi Disiplinor vendosi në favor të Krasniqit, duke e suspenduar Imamin, pa e dëgjuar fare versionin e tij.
Sidoqoftë, Imami vlerëson se vendimi për suspendimin e tij është në kundërshtim me Kodin Disiplinor të FSK-së.
Sipas nenit 14, paragrafit 2 të këtij kodi : “Asnjë sanksion disiplinor nuk mund të aplikohet për dyshimin e kryerjes së një vepre penale, e cila dënohet sipas legjislacionit penal, para marrjes së një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente.”
Si arsyetim për suspendimin e Imamit, bordi prëmendi edhe një koment, të cilin ai e kishte bërë në Facebook, dy ditë më vonë, më 14 mars, në lajmin për largimin e Sali Arifajt nga FSK-ja.
“Respekt për punën tënde dhe shërbimin tënd për 13 vite. E vërtetë që institucioni ka humbur me largimin tënd. Respekt që nuk u je dorëzuar sfidave deri më tani dhe fatmirësisht e ke dorëzu demobilizimin para ngjarjeve të fundit edhe askush nuk mundet me t’gjyku gabim.”
Ky koment dhe shpërndarja e postimit të Arifajt në Facebook, nga FSK u vlerësua si “Shpërndaje e dezinformatave të rënda”.
Por, kështu nuk mendon avokati i Imamit, Liridon Tafa.
“Jo, absolutisht, komenti i Dritonit nuk ka asnjë element denigrues ndaj FSK-së, ka pakënaqësi me të cilat ky është ballafaqu dhe të cilat nuk kanë të bëjnë dhe nuk e ka ataku institucionin në tërësi, por individët.”
Rasti i tretë që u përmend në vendimin e suspendimit të përkohshëm të Imamit ndodhi më 17 mars. Bordi që e mori këtë vendim akuzon Imamin se ka incizuar në mënyrë të paautorizuar eprorët, varësit dhe kolegët në kryerjen e detyrave. Ky bord pretendon se këto incizime Imami i bëri me qëllim që t’i përdor më vonë për qëllime të tij personale.
Mirëpo, Imami insiston se i ka njoftuar kolegët e tij se është duke i incizuar. Ai arsyetohet se xhirimin e ka bërë për shkak se, ai thotë se ata tentonin të ndryshonin raportin në Librin e Kujdestarisë natës kur ai kishte qenë kujdestar.
Imami pretendon se pasi që është mbyllur raporti se gjithçka ka shkuar në rregull, është ndryshuar dhe është shkruar se është tentuar të thyhet dera.
Prandaj, këto incizimi avokati i tij thotë se janë të ligjshme.
“Dritoni e ka bërë incizimin duke e njoftuar personin që e ka pasë dokumentacionin dhe në momentin që njoftohet dhe video-incizimet janë të destinume për gjykatë ose për të mbrojtur veten, atëherë janë të ligjshme, sipas Kodit të Procedurës Penale. Vidoincizimet shihet qartë prej video-incizimeve që ky ka tendu me marrë prova shfajësuese ndaj veprimeve që janë marrë ndaj tij”, tha Tafa.
KIKS Kosova ka kërkuar qasje në këtë raport, por kjo kërkesë është refuzuar nga Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, me arsyetimin se ky libër bën pjesë në listën e dokumenteve të brendshme të FSK-së, i cili përmban informacion të ndjeshëm, publikimi i të cilit, sipas këtij shtabi, mund të cenojë sigurinë e shtetit.
Për të kërkuar të drejtën e tij, e cila thotë se ju mohua, Driton Imami, i përfaqësuar nga avokati Liridon Tafa, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës padi kundër vendimit të FSK-së për largimin e tij nga ky institucion.
Përmes kësaj padie, ai po kërkon 98 mijë e 400 euro dëmshpërblim.
Imami nuk mendon të kthehet më në FSK, pasi që thotë se ndihet i kërcënuar.
“Ndihna i kërcënum , sepse me datën 11 qershor, vjen Kreshnik Dreshaj më ulet në tavolinë, se isha me një shok timin polic dhe përmend as mos përmend emrin tem e të familjes tem, e raportojmë rastin. Dmth, e njoftoj avokatin, e raportoj rastin, nuk hapet procedurë për të. E marr rastin, e kam vazhdu. Po, çka është ma e keqja, ai vazhdon me punu, ndërsa unë pa dëshmi, pa kurgjo hiq, thjesht u suspendova, pastaj u ngarkun edhe gjatë kohës sa nuk isha edhe sendet e tjera”, tha ai.
Tri rastet të cilat u morën si arsyetim për suspendimin e Imamit pretendohet se ndodhën brenda pesë ditëve, nga 12 deri më 17 mars të këtij viti.
“Kjo tregon se ka pasur një mllef të mëhershëm ndaj Dritonit dhe e kanë prit momentin e parë me i marrë të gjitha këto veprime, për me e dëmtu Dritonin”, tha avokati i Imamit.
KIKSi për më shumë se një muaj ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes realizimin e intervistave me personat e përfshirë në këtë rast dhe leje për incizim brenda kazermës, por të dy kërkesat i kanë refuzuar.
Përgjigjja e vetme që kjo ministri ka kthyer për këtë rast është përgjigja që mori edhe Imami pas ankesës në Bordin për Ankesa Disiplinore të FSK-së.
“Ka kryer shkelje të rëndë disiplinore të paraparë në nenin 21 paragrafi 2 nën paragrafi 2.17, 2.28 dhe 2.29 të Kodit Disiplinor të FSK-së Nr.15/2019, për këtë shkelje disiplinore i është shqiptuar masa disiplinore, largim nga FSK të paraparë në nenin 16 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Disiplinor të FSK-së Nr.15/2019.”
