Bulliqi informoi qytetarët për projektet e realizuara gjatë vitit 2021

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi mbajti sot takim publik me qytetarë, të cilët i informoi për projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2021​

Në këtë takim kryetari Bulliqi ka bërë prezantimin e projekteve dhe aktiviteteve të komunës të cilat janë realizuar gjatë vitit 2021, si dhe me qytetarët pjesëmarrës në takim është diskutuar për projektet e planifikuara, e të cilat për arsye të ndryshme nuk janë realizuar, ose janë në proces.

Tutje, kryetari Bulliqi ka prezantuar projektet dhe aktivitetet kryesore për secilën drejtori të cilat janë shfaqur edhe grafikisht në monitor.

“Nga Drejtoria e Administratës janë ndërmarrë veprime të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimeve, kemi organizuar shërbime ndaj qytetarëve gjatë komplet orarit të punës pa pauzë, është instaluar sistemi për organizimin e pritjes për marrjen e shërbimeve, kemi krijuar programin “one stop shop” si dhe kemi aktivizuar shërbimin “Alo Komuna” tha Kryetari Bulliqi.

Nga aktiviteti i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ai tha se janë tejkaluar parashikimet sa i përket të hyrave vetanake, janë futur në listë të tatimit në pronë shumë persona të cilët ishin të paregjistruar më parë, si dhe ka bërë publikimin e shpenzimeve të komunës.

Në kuadër të Drejtorisë së Arsimit tha se ka janë renovuar objekte shkollore, fusha sportive dhe shkollat janë pajisur me laboratore e kabinete.

“Janë realizuar projekte për efiçencë në shkollën “Shaban Shala” dhe “Shefki Kuleta”, fushat sportive në “Enver Maloku” dhe në shkollat e fshatrave, Pollatë dhe Bellopojë. 20 shkolla janë pajisur me kabinete të informatikës dhe laboratore, është bërë renovimi i Qerdhes së dytë në qytet dhe po vazhdojnë punimet në ndërtimin e shkollës në Balloc. Gjatë kësaj kohe janë shpërndarë edhe bursa për nxënës dhe studentë” tha kryetari Bulliqi.

Në sektorin e shëndetësin kemi filluar me zgjerimin e hapësirave për shërbim ndaj pacientëve dhe ndarja e shërbimeve për pacientët me Covid-19, funksinalizimi i shërbimit të patronazhit, repartit të stomatologjisë dhe mamografisë. Kemi filluar me ofrimin e shërbimeve dhe analiza të ndryshmë të cilat më parë qytetarët i kanë bërë në ordinanca private dhe me kosto të lartë. Po ashtu, ka filluar puna në dy ndërrime në Orllan dhe Kërpimeh.

Në Drejtorinë e Urbanizmit, ai tha se me dinamikë më të mirë është përmbyllur projekti për ndërtimin e bulevardit. Ndërsa gjatë këtij viti janë asfaltuar 40 km rrugë, janë renovuar objekte banesore, është ndërtuar parking me hapësira të gjelbruara afër objektit të vjetër të komunës, si dhe jemi në finalizim të projektit kryesore të ksaj drejtorie që është Harta Zonale.

Drejtoria e Gjeodozisë, Pronës dhe Kadastrit, gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe trajtuar rreth 10 mijë kërkesa nga qytetarët, gjithashtu ka evidentuar pronat komunale, të cilat do të përdorën si mundësi për aktivizim të kapitalit financiar, tha kryetari Bulliqi.

Nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë realizuar investime në zgjerimin e hapësirave të Bibliotekës së Qytetit, është renovuar palestra “Hakif Zejnullahu” renovimin i hapësirave në Teatrin “Avdush Hasani”, zhvendosja e Arkivit Historik, pasurimi i Biblotekës së Qytetit me tituj të rinj si dhe zgjatja e orarit. Po ashtu nga buxheti i kësaj drejtorie janë subvencionuar, shfaqje tetarale, organizata të shoqërisë civile dhe janë mbështetur klubet sportive.

Ndërsa, duke prezantuar projektet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, kryetari Bulliqi tha se “janë ndërtuar 20 km kanalizim, 8 km trotuare, 100 km ndriçim publik, 9 ura dhe kalesa dhe janë trajtuar me zhavor 40 km. Gjithashtu, kanë vazhduar punimet në kolektorin e ujërave të zeza, ka vazhduar rregullimi i shtretërve të lumenjëve me gabiona, janë eliminuar deponi ilegale dhe përmes projekteve të ndryshme janë trajtuar edhe qentë endacakë, pjesë ku mbetet shumë për tu bërë. Në bashkëpunim me MAPL është ndërtuar infrastruktura në lagjet e banuara me komunitetet pakicë,”.

Në fushën e inspeksionit po zhvillohen aktivitetet e rregullta, siç janë inspektimi për respektim të masave anti-Covid, lirimi i hapësirave publike, trajtimi i objekteve pa leje, prerja e pyjeve dhe shqiptimi i gjobave për qytetarët për hudhje të mbeturinave në vende të ndryshme përmes të cilave po krijojnë deponi ilegale tha Kryetari Bulliqi.

Nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, kryetari Bulliqi tha se ka vazhduar projekti për mbështetje të bizneseve me pajisje pune nga bashkëpunimi me organizatën Help, ndërsa, nga partneriteti me AZHR-në janë mbështetur me projekte gratë dhe rinia. Po ashtu, kjo drejtori për herë të parë ka filluar realizimin e projektit “Festivali Dimëror” ku janë vendosur gjashtë shtëpiza në Sheshin e Qytetit.

Në fushën e bujqësisë, kryetari Bulliqi tha se “janë realizuar projektet për mbështetjen e fermerëve 50 mullinj, me mëshqerra, njëherë 46 dhe njëherë 70 krerë, mbështetja me fidane të mjedrrës 50 kultivues, janë shpërndarë shoqëri bletësh për 105 bletarë. Po ashtu janë kompensuar edhe bujqit që nga moti i ligë dhe fatkeqësitë natyrore kanë pësuar dëme. Mbështetje bujqve dhe fermerëve llapjanë u kemi dalë edhe përmes bashkëpunimeve me organizata vendore dhe ndërkombëtare”.

Pas prezantimit të kryetarit Bulliqi, qytetarët e prezent në takim publik kanë marrë pjesë në debat, duke shtruar pyetje për projekte të ndryshme, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike. Po ashtu interes kishte edhe për investimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe në organizimin e orarit të punës për bizneset.

Në pyetjet dhe interesimin e qytetarëve janë përgjigjur kryetari Bulliqi, ndërsa prezent ishte edhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani. /Kosova.info/

Go to TOP