Basha: 8.7 mln euro për Qarkoren e Gjakovës, pjesë edhe rruga `Bujar Roka`

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe e Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ministria ka investuar mbi 5 milionë euro në rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Bujar Roka” në Gjakovë, e cila është pjesë e Qarkores së re të qytetit.

Basha theksoi se ky projekt është pjesë e një investimi më të gjerë në infrastrukturën rrugore të Gjakovës.

“Rruga “Bujar Roka” në Gjakovë. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka investuar mbi 5 milionë euro në rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Bujar Roka”, e cila është pjesë e Qarkores së re të Gjakovës”, ka shkruar Basha në Facebook.

Sipas tij, së bashku me projektet e tjera infrastrukturore në këtë zonë, investimi i përgjithshëm i Ministrisë në Qarkoren e Gjakovës arrin në 8.7 milionë euro.

“Së bashku me kontratën e realizuar më herët për daljen e Gjakovës drejt Prizrenit, si dhe projektin në realizim e sipër të tranzitit të ri, investimi i Ministrisë në Qarkoren e Gjakovës arrin në 8.7 milionë euro”, bëri me dije ai.

Basha theksoi se projekti është hartuar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa financimi është siguruar tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit.

“Projekti është hartuar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa financimi është mbuluar në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit”, u shpreh Basha.

Ai tha se ky investim do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në trafik, si dhe do të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe bizneset.

“Ky investim do të përmirësojë qarkullimin, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe biznese”, shtoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP