LBK: Mungesa e zhavorrit dhe zvarritjet institucionale po rrezikojnë ndërtimin dhe ekonominë e Kosovës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), së bashku me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës, kanë kërkuar veprim urgjent nga institucionet për të adresuar problemet që po rëndojnë sektorin e ndërtimit dhe industrinë nxjerrëse.
Në një komunikatë të përbashkët, organizatat e biznesit theksojnë se mungesa e zhavorrit dhe agregateve ndërtimore, vonesat në licencim, burokracia, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe pasiguria juridike po shkaktojnë vonesa në projekte, rritje të kostove dhe rrezik për investimet e vendet e punës.
Sipas tyre, prodhuesit vendorë po përballen me pengesa të shumta administrative, ndërsa importet e materialeve ndërtimore, veçanërisht nga Serbia dhe tregje të tjera, po rriten, duke dobësuar konkurrueshmërinë e industrisë vendore.
LBK rikujton se më 23 prill 2026 ka dorëzuar rekomandime për ndryshimin e Ligjit për Pronën Publike, me synim krijimin e një mjedisi më të sigurt ligjor për investime.
Organizatat kërkojnë nga Qeveria harmonizimin e legjislacionit, përshpejtimin e procedurave të licencimit, krijimin e sigurisë juridike për investitorët, thjeshtimin e procedurave administrative, mbështetjen e prodhimit vendor dhe krijimin e një platforme të përhershme konsultative mes institucioneve dhe sektorit privat.
Përfaqësuesit e sektorit privat theksojnë se kërkesat e tyre nuk synojnë privilegje, por një sistem transparent dhe funksional që garanton kushte të barabarta për investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
