Shoqata e Prodhuesve të Qumështit kërkon ndarjen e produkteve të qumështit nga ato me bazë bimore në markete
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka përsëritur kërkesën që produktet e qumështit me origjinë shtazore të vendosen veçmas nga produktet me bazë bimore në të gjitha marketet e vendit, me qëllim që konsumatorët të kenë të qartë se çfarë po blejnë dhe të shmanget çdo konfuzion mes këtyre kategorive të produkteve.
Sipas shoqatës, kjo kërkesë ende nuk po zbatohet në shumë markete, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme.
Për këtë arsye, Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të forcojnë kontrollet dhe të sigurojnë zbatimin e kësaj praktike. Gjithashtu, ajo ka apeluar te institucionet vendimmarrëse që të jenë më të vendosura në zbatimin e legjislacionit, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të drejtë e transparent.
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të prodhimit vendor dhe mbrojtjes së interesave të sektorit të qumështit. /Kosova.info/
