Klopp drejt stolit të Gjermanisë, marrëveshja në fazën finale
Jurgen Klopp është gjithnjë e më pranë emërimit si trajneri i ri i Kombëtares së Gjermanisë, ndërsa mediat gjermane raportojnë se negociatat mes Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe drejtuesve të Red Bull po zhvillohen në drejtimin e duhur.
Sipas raportimeve, presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke kanë arritur një marrëveshje paraprake me drejtorin ekzekutiv të Red Bull, Oliver Mintzlaff, për lirimin e Klopp, i cili aktualisht mban postin e Drejtorit të Global Soccer në kompani dhe ka kontratë deri në vitin 2029.
Hapi i fundit pritet të jetë një takim mes Mintzlaff dhe Klopp, i planifikuar në prag të finales së Kupës së Botës në Nju Jork. Në këtë takim do të diskutohen detajet e largimit të trajnerit, si dhe mënyra se si ai mund të vazhdojë të kontribuojë në projektet sportive të Red Bull edhe pas marrjes së detyrës së re.
Një tjetër çështje në tavolinë është edhe e ardhmja e stafit që iu bashkua Red Bull pas ardhjes së Klopp. Ndërkohë, tekniku gjerman synon ta ketë sërish në krah bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Peter Krawietz, si ndihmës në stafin e Kombëtares.
Nëse procedurat përfundojnë sipas planit, Klopp do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Ende nuk dihet nëse marrëveshja do të përfshijë klauzola që lidhen me rezultatet në Euro 2028 apo me kualifikimin në atë turne.
Prezantimi zyrtar i Klopp si pasardhës i Julian Nagelsmann pritet të bëhet javën e ardhshme, menjëherë pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara.
Trajneri i ri do ta nisë aventurën në krye të Gjermanisë me ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku “Panzerët” do të përballen me Holandën, Serbinë dhe Greqinë në muajt shtator dhe tetor.
