Qershori bëhet muaji më vdekjeprurës për civilët ukrainas që nga viti 2022 pas sulmeve shkatërruese ruse
Qershori ishte muaji më vdekjeprurës për civilët ukrainas që nga prilli i vitit 2022, njoftuan të martën Kombet e Bashkuara, duke theksuar ndikimin shkatërrues të sulmeve të intensifikuara ruse ndaj qyteteve larg vijës së frontit.
Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU) tha se të paktën 293 civilë ukrainas u vranë gjatë qershorit, duke e çuar numrin e viktimave civile për këtë vit në afro 1400. Kjo përfaqëson një rritje prej 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe më shumë se dyfishin e numrit të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024, shkruan CNN.
Shefja e HRMMU-së, Danielle Bell, tha se shifrat e qershorit “tregojnë një prirje alarmuese përshkallëzimi, me rritje të numrit të viktimave civile, e nxitur nga përdorimi gjithnjë e më intensiv i armëve të fuqishme, të cilat janë veçanërisht vdekjeprurëse kur përdoren në zona urbane me dendësi të madhe të popullsisë”.
Sipas HRMMU-së, rritja e viktimave është shkaktuar kryesisht nga raketat ruse me rreze të gjatë veprimi, të cilat goditën ndërtesa banimi në qytete si Dnipro, Odesa dhe kryeqyteti, Kievi.
Sipas OKB-së, viktimat civile nga armët me rreze të gjatë veprimi janë rritur me 60% në periudhën janar-qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Autoritetet ukrainase kanë folur vazhdimisht për vështirësitë në rrëzimin e raketave balistike ruse, duke u bërë thirrje aleatëve eutopianë të ndihmojnë në forcimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe duke lobuar intensivisht te Shtetet e Bashkuara për të marrë miratimin për prodhimin e raketave interceptuese Patriot, të afta për të ndalur raketat balistike të Moskës.
Në zonat më pranë vijës së frontit, dronët me rreze të shkurtër veprimi kanë qenë përgjegjës për pjesën më të madhe të vrasjeve dhe plagosjeve të civilëve gjatë vitit 2026, sipas OKB-së.
Bell tha se këta dronë e kanë “transformuar mjedisin” për civilët që jetojnë pranë vijës së frontit.
