Të përshpejtohen bisedimet për zgjedhjen e institucioneve shtetërore!
Shkruan: Florim ZEQA
Fillimi i mbarë i bisedimeve mes subjekteve parlamentare për krijimin e institucioneve shtetërore duhet të vazhdojë me seriozitet dhe me ritëm të shtuar! Prolongimet eventuale të bisedimeve duke u thirrur në afatet kushtetuese, jo vetëm që mund ta lënë shtetin pa President, por mund ta çojnë sërish vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Të respektohet vullneti i elektoratit
Shkuarja e vendit në zgjedhje do të ishte skenari më i keq, por më keq se kaq do të ishte përsëritja apo rikthimi i Albin Kurtit në pikën zero, gjegjësisht në arritjen e të njëjtës “zgjidhje”, për të cilën vendi shkoi në zgjedhjet e 7 qershorit!
Kosova ka humbur shumë kohë dhe shumë perspektiva zhvillimore, shkaku i kalkulimeve personale të liderëve partiakë!
Tendenca e hapur për ta personalizuar procesin negociator për krijimin e institucioneve i dëmton bisedimet, sikurse që i dëmton partitë opozitare tendenca për të marrë më shumë “hise” në qeveri nga ajo që ua ka dhënë elektorati!
Vullneti i popullit është vullneti i Zotit, e thotë një fjalë e urtë popullore! Populli ua tregoi vendin të gjitha subjekteve, andaj nuk ka rrugë tjetër përveç respektimit të vullnetit të sovranit, të shprehur më 7 qershor!
Prandaj, proporcionaliteti i votës duhet të jetë pikënisje dhe konkluzion i bisedimeve për krijimin e institucioneve shtetërore.
Çdo devijim nga kjo rrugë do ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe humbje të shumëfishta për shtetin, gjë që do të ndikojë në përkeqësimin e jetës së qytetarëve!
Nëse i referohemi maksimës popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë gjasat janë shumë të vogla për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit.
E them kështu, për faktin se, që në takimin e parë, ka qenë e mundur arritja e dakordimit për krijimin e institucioneve! Prolongimet nuk do të sjellin përafrime, por vetëm largim nga zgjidhja fatlume për shtetin!
Bisedime pa rezultate evidente
Epilogu i raundit të parë të bisedimeve mes liderëve partiakë është ky: Albin Kurti ua mati impulsin dy krerëve opozitarë!
Përderisa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i mbrojti qëndrimet partiake, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani më shumë shpërfaqën ambiciet personale sesa qëndrimet partiake, shkaku i situatës shpërthyese në LDK!
Për dallim nga dy partitë më të mëdha opozitare, Aleanca e vogël e refuzoi takimin me Albin Kurtin, prapa të cilit refuzim fshihet kërkesa jetësore e Ramush Haradinajt për t’u bërë President!
Pavarësisht ambicieve personale, gjithçka mbetet në dorën e Albin Kurtit!
Mbetet të shihet, në ditët dhe javët në vazhdim, serioziteti i liderëve partiakë në arritjen e kompromisit politik për të mirën e shtetit dhe interesin e qytetarëve!
Ani pse në opinionin publik po flitet se, për Albin Kurtin, më e preferuara për marrëveshje politike është LDK-ja, në realitet është e kundërta, për shkak të mungesës së besueshmërisë së ndërsjellë! Ajo që është provuar një herë dhe ka dështuar, nuk ka gjasa të përsëritet më nga LVV!
