Shtohen kontrollet për mjetet e rënda, mbi 13 mijë euro gjoba për mbingarkesa
Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit (MIT) ka paralajmëruar kontrolle të shtuara dhe zbatim rigoroz të ligjit ndaj operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të rënda që tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës duke theksuar se mbingarkesa është një nga shkaktarët kryesorë të dëmtimit të infrastrukturës rrugore.
Sipas ministrisë, çdo vit investohen qindra miliona euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, prandaj këto investime duhet të mbrohen nga dëmtimet e shkaktuara si pasojë e mosrespektimit të rregullave.
MIT vlerëson se gjatë sezonit veror, temperaturat e larta e rrisin edhe më shumë rrezikun e dëmtimit të asfaltit, ndaj kërkohet kujdes i shtuar dhe respektim i kufizimeve të peshës nga të gjithë operatorët dhe drejtuesit e mjeteve të rënda.
Ministria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të zhvillojë kontrolle të vazhdueshme në terren për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës rrugore.
“Sipas të dhënave të publikuara, vetëm më 1 korrik 2026 janë shqiptuar 24 kundërvajtje për mjete që kanë tejkaluar peshën e lejuar, me gjoba në vlerë totale prej 13.910 euro. Prej kësaj shume, 13.140 euro u janë shqiptuar operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro personave fizikë”, thuhet në njoftim.
MIT ka theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkelësve, duke u bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të rënda që të respektojnë kufijtë e lejuar të peshës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës rrugore, e cila financohet me paratë e qytetarëve. /Kosova.info/
