Historia e moldavianes S.Ç. dhe plagët e hapura të trafikimit në Mal të Zi

Mira Saveliq nuk mund ta imagjinonte se, ditën e parë të punës, në derën e vendit ku punonte do të shfaqej një grua që do t’ia shënonte gjithë karrierën.

Gruaja që mbërriti në Strehimoren e Sigurt në Podgoricë, e shoqëruar nga tre policë, ishte shtetasja moldaviane, Svetllana Çabotarenko.

Ajo kishte mbërritur në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë në vitin 1998, së bashku me një grup prej 40 personash, me shpresën se do të punonte.

Sipas Saveliqit, atyre u ishte thënë se do të mblidhnin misër dhe do të punonin në vreshta pranë Novi Sadit.

Por, njeriu që i kishte siguruar vizën, kishte plane të tjera.

“Ai i tha: Ti nuk je për të punuar në arë. Ti do të punosh në një kafene”, kujton Saveliq, e cila kaloi tre muaj me Çabotarenkon në Strehimoren e Sigurt.

Puna në kafene zgjati pak. Shpejt, ajo u shit – për herë të parë.

“Ai ia mori pasaportën dhe aty filloi gjithçka. E shiste vazhdimisht dhe ajo nuk mund të bënte asgjë. Më pas përfundoi në Zvornik, ku u shit sërish dhe përfundoi në spital me krah dhe brinj të thyer”, rrëfen Saveliq.

Nga Zvorniku i Bosnje dhe Hercegovinës, ajo u shit edhe një herë dhe përfundoi në Podgoricë të Malit të Zi.

Në fillim të viteve 2000, shfrytëzimi seksual i grave nga Moldavia jashtë vendit arriti kulmin, thotë Ina Buimestru nga organizata La Strada Moldova.

Vetëm gjatë vitit 2001, kjo organizatë identifikoi rreth 400 raste të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Në 99 për qind të rasteve bëhej fjalë për gra të shfrytëzuara seksualisht jashtë vendit, kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi”, thotë Buimestru.

Në atë kohë, sipas saj, rekrutimi dhe shfrytëzimi i viktimave ndodhnin hapur, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes trafikantëve dhe viktimave.

Si u zhvillua hetimi?

Kjo ishte edhe historia e Svetllana Çabotarenkos.

Disa vite pasi u dërgua në Podgoricë, ajo iu drejtua policisë me pretendimin se ishte detyruar të prostituohej, ishte shitur disa herë dhe ishte dhunuar seksualisht.

Në dëshminë e saj, ajo përmendi edhe emra të njohur dhe me ndikim në Mal të Zi.

Pak ditë më vonë, policia arrestoi disa persona, mes tyre edhe Zoran Piperoviqin, asokohe zëvendëskryeprokuror i Shtetit.

Sipas Tea Gorjanc Prelleviqit, nga organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut, Çabotarenko kishte deklaruar se ishte pikërisht Piperoviq ai që e kishte sjellë nga Republika Sërpska në Mal të Zi.

“Sipas dëshmisë së saj, ajo nuk kishte dokumente identiteti dhe kufirin e kalonte ilegalisht, e fshehur në makinë”, thotë Gorjanc Prelleviq.

Pas kallëzimit të saj nisi edhe një hetim për ndërmjetësim në prostitucion.

Përveç Piperoviqit, të dyshuar ishin edhe biznesmeni Ekrem Jasaviq, pronari i një restoranti, Bajram Orahovac, dhe Irfan Kurpejoviq.

Svetllana Çabotarenko ka dhënë një dëshmi prej më shumë se 200 faqesh.
Svetllana Çabotarenko ka dhënë një dëshmi prej më shumë se 200 faqesh.

Në atë kohë, Gorjanc Prelleviq ishte njohur me rastin përmes bashkëshortit të saj, avokatit që përfaqësonte Çabotarenkon.

Gjatë hetimeve u morën në pyetje rreth 50 dëshmitarë.

“Svetllana dha një dëshmi jashtëzakonisht të detajuar, me mbi 200 faqe. Ajo u tregoi gjyqtarëve dhe hetuesve vendet ku ishte keqtrajtuar”, kujton Gorjanc Prelleviq.

Gjatë procesit, Çabotarenko fitoi statusin e dëshmitares së mbrojtur dhe në dokumente u identifikua vetëm si moldaviania S.Ç.

Ajo dëshmoi disa herë në gjykatë dhe mori pjesë në identifikimin e personave që, sipas saj, e kishin shfrytëzuar.

“Ajo shpjegoi gjithçka. Na çoi në vendet ku kishte ndodhur gjithçka. Përshkroi edhe një lokal ku ndodhej një pasqyrë e madhe. Tha se pranë saj kishte një buton, që hapte një derë të fshehtë. Brenda ishte një dhomë private. Madje, tregoi se pronari mbante fotografi të klientëve, të fshehura poshtë shisheve të pijeve”, rrëfen Saveliq.

Megjithatë, rasti që tronditi opinionin publik malazez më shumë se dy dekada më parë, nuk mori kurrë një epilog gjyqësor.

Aktakuza për ndërmjetësim në prostitucion ndaj personave që Çabotarenko kishte akuzuar, u tërhoq, pasi hetimet ngecën.

Gjatë procesit, Piperoviq u shkarkua nga posti i zëvendëskryeprokurorit, jo për trafikim, por për sjellje të papërshtatshme.

Gjatë hetimeve u vërtetua – dhe ai vetë e pranoi – se kishte përdorur shërbimet e prostitutave.

Në një intervistë për televizionin Happy në vitin 2014, Piperoviq pretendoi se nuk e ka njohur Svetllana Çabotarenkon dhe se e gjithë afera ishte inskenuar me qëllim largimin e Millo Gjukanoviqit nga pushteti.

Për këtë çështje, ai shkroi edhe dy libra.

Në kuadër të hetimeve u mor në pyetje edhe kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Gjukanoviq, i cili më vonë shërbeu edhe si president.

Disa vite më vonë, në Parlamentin e Malit të Zi, ai deklaroi se e ashtuquajtura “aferë e seks-trafikimit” ishte sajuar nga një shërbim inteligjent.

Edhe 15 vjet më vonë, Gjukanoviq iu rikthye rastit. Në një intervistë për Televizionin E, në maj të vitit 2026, ai tha se qëllimi i të ashtuquajturës “afera S.Ç.” ishte komprometimi i tij dhe i Malit të Zi, për të forcuar qëndrimin negativ të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pavarësisë së vendit.

“Afera S.Ç. është vazhdimësi e veprimtarisë shkatërruese të shërbimeve serbe të sigurisë, e ndihmuar nga karrierizmi dhe mungesa e profesionalizmit të disa zyrtarëve të rëndësishëm shtetërorë në Mal të Zi në atë kohë”, deklaroi Gjukanoviq.

Çfarë ndodhi pas vendimit të gjykatës?

Kur gjykata vendosi të mos ngrejë aktakuzë, Svetllana Çabotarenko nuk ndodhej më në Mal të Zi.

Pasi kaloi tre muaj në Strehimoren e Sigurt, ajo u largua nga ky vend në janar të vitit 2003 – në karrocë invalidësh.

“Nuk mund të ecte më. Kishte hyrë në grevë urie dhe na thoshte: Në fund do të vdes, nëse nuk më lejoni të largohem”, kujton Saveliq.

Për shkak të grevës së urisë, Svetllana u largua nga Mali i Zi me karrocë invalidore.
Për shkak të grevës së urisë, Svetllana u largua nga Mali i Zi me karrocë invalidore.

Në atë kohë, gjyqtarja e hetimeve, Ana Vukoviq, vendosi se prania e Çabotarenkos nuk ishte më e nevojshme për procedurën hetimore.

E shoqëruar nga punonjëset e strehimores, ajo u dërgua në Austri, ku u mor nën kujdes nga organizata LEFO, e cila ndihmon viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore.

Më pas, ajo u transferua në një vend të tretë.

Sot, organizata austriake thotë se nuk e kujton më rastin e Svetllanës dhe se nuk komenton raste individuale pa pëlqimin e vetë viktimave.

Saveliq, e cila kaloi tre muaj pranë saj, tregon se dëshira më e madhe e Svetllanës ishte të ribashkohej me dy fëmijët e saj.

Por, pas largimit nga Vjena, çdo gjurmë e saj humbi.

“Prisja që një ditë të na telefononte. Doja të dija çfarë ishte bërë me të. Por, ajo nuk telefonoi kurrë, sepse besonte se të gjithë telefonat në Mal të Zi përgjoheshin”, thotë Saveliq.

Ajo shton se Svetllana kishte marrë edhe kërcënime se do ta gjenin nëse do të kthehej në Moldavi, vend nga i cili ishte larguar pasi bashkëshorti i saj ishte vrarë.

Dënimi i Svetllanës

Vite pasi Svetllana Çabotarenko u largua nga Mali i Zi, dy prej personave që ajo kishte akuzuar – Zoran Piperoviq dhe Ekrem Jasaviq – ngritën padi private penale kundër saj për dëshmi të rreme, në vitin 2009.

Mes dëshmitarëve të thirrur ishte edhe ish-kryeministri dhe më vonë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, por ai nuk u paraqit në gjykatë.

Pas dy aktgjykimeve liruese, gjyqtari Goran Gjukoviq e shpalli Çabotarenkon fajtore në vitin 2014 për dhënie të dëshmisë së rreme.

Pas këtij vendimi u lëshua edhe një urdhërarrestim ndërkombëtar ndaj saj.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhej se ishte “e palogjikshme” që një person, i cili ushtronte funksionin e zëvendëskryeprokurorit të shtetit, të mund të kryente një vepër kaq të rëndë penale ndaj viktimës.

“Sidomos kur për ta ushtruar atë funksion, përveç kualifikimeve profesionale, ai duhej të gëzonte edhe reputacion të lartë si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë personale”, thuhej në aktgjykimin e vitit 2014.

Fakti që gruaja, e cila kishte akuzuar katër burra për përdhunim dhe shfrytëzim seksual, përfundoi vetë e dënuar, tronditi edhe organizatat ndërkombëtare.

Amnesty International deklaroi se, bazuar në informacionet që kishte në dispozicion, e konsideronte S.Ç. viktimë të keqtrajtimit dhe të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut.

Sipas organizatës, autoritetet malazeze, në vend që ta ndiqnin penalisht, duhej t’i garantonin asaj të drejtat që u takojnë viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshirë ndihmën, mbështetjen dhe kompensimin për dëmin e pësuar, në përputhje me Konventën e Këshillit të Evropës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar.

Edhe Tea Gorjanc Prelleviq, nga organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut, e cilëson vendimin ndaj Svetllanës si një nga njollat më të rënda në historinë e gjyqësorit malazez.

“Ai aktgjykim ishte befasues, sepse mbështetej në përfundime të pabesueshme, sikur asnjë prokuror – e sidomos zëvendëskryeprokurori – nuk mund të kryejë vepra penale vetëm pse, për shkak të funksionit, duhet të jetë një person me integritet moral”, thotë ajo.

Sipas saj, ky arsyetim tingëllon edhe më absurd sot, kur në Mal të Zi disa prokurorë janë të akuzuar për vepra penale.

Tea Gorjanc Prelleviq
Tea Gorjanc Prelleviq

“Në fund, ajo që mbeti si e vërtetë juridike është se askush nuk u ndoq penalisht për atë që ne besojmë se i ndodhi Svetllanës – se ajo u keqtrajtua, iu kufizua liria, iu morën dokumentet dhe u detyrua të prostituohej”, thotë Gorjanc Prelleviq.

Se gjendja në sistemin e drejtësisë ka ndryshuar disi viteve të fundit, sipas saj, dëshmohet edhe nga fakti se ndaj 11 gjyqtarëve dhe prokurorëve, aktualë ose ish-zyrtarë, janë hapur procedura penale nën dyshimet për vepra që variojnë nga shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i dokumenteve deri tek anëtarësimi në organizata kriminale dhe zbulimi i informacioneve sekrete.

Vendi i origjinës

Ndërsa në Mal të Zi, Svetllana Çabotarenko shkonte në gjykatë nën përcjelljen e policisë dhe masa të rrepta sigurie, në vendlindjen e saj, Moldavi, rasti i saj njihej nga shumë pak njerëz.

Përveç familjes së saj dhe profesionistëve të përfshirë në këtë çështje, publiku i gjerë pothuajse nuk kishte dëgjuar për të.

Svetllana hyri në Ballkanin Perëndimor nga Novi Sadi, për të vazhduar më pas, përmes Zvornikut, drejt Podgoricës.
Svetllana hyri në Ballkanin Perëndimor nga Novi Sadi, për të vazhduar më pas, përmes Zvornikut, drejt Podgoricës.

Sipas organizatës La Strada Moldova, në atë periudhë, Moldavia regjistronte rreth 500 raste të trafikimit të qenieve njerëzore çdo vit, ndërsa në gjysmën e rasteve viktimat përfundonin në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Ina Buimestrut nga La Strada, Moldavia vazhdon të jetë një nga vendet kryesore të origjinës së viktimave të trafikimit, por shërben edhe si vend transiti dhe destinacioni.

“Shkaqet kryesore janë vështirësitë ekonomike dhe papunësia. Shumë gra, sidomos nga zonat rurale, nuk kanë mundësi punësimi dhe përpiqen të gjejnë punë jashtë vendit, shpesh përmes kanaleve joformale dhe të paverifikuara”, shpjegon ajo.

Buimestru shton se edhe migrimi i lartë dhe mjediset familjare të paqëndrueshme janë faktorë që rrisin rrezikun e trafikimit.

Në të njëjtën linjë është edhe Tamara Schmidt, një nga drejtoreshat e organizatës austriake LEFO, e cila ka punuar me shumë gra nga Moldavia që përfunduan si viktima të trafikimit në Austri.

“Arsyeja kryesore pse këto gra vinin në Austri, ishte kombinimi i vështirësive financiare dhe cenueshmërisë së tyre sociale”, thotë Schmidt.

Organizata e saj ofron mbështetje për viktimat e trafikimit, pavarësisht statusit të tyre ligjor – mjafton që ato të ndodhen në territorin e Austrisë.

Sipas Schmidtit, ndihma nuk kushtëzohet as nga fakti nëse policia e ka identifikuar zyrtarisht një person si viktimë të trafikimit.

“Për ne mjafton të ekzistojë dyshimi i arsyeshëm se një person është viktimë e trafikimit. Ka disa shenja tipike: viktima nuk ka pasaportën ose dokumentet personale, duket e frikësuar, shmang kontaktin me autoritetet dhe, në disa raste, ka mavijosje ose lëndime që nuk di t’i shpjegojë”, thotë ajo.

Pasi identifikohen, viktimave u ofrohet ndihmë psikologjike, juridike dhe shëndetësore.

Por, siç thekson edhe Buimestru, shpëtimi nga rrjeti i trafikimit është vetëm hapi i parë.

Sipas saj, grave që arrijnë të dalin nga ky rreth, u nevojitet mbështetje afatgjatë për t’u riintegruar në shoqëri dhe për të rindërtuar jetën e tyre.

Ditët e fundit me Svetllanën

Pas gati 30 vjetësh pune në Strehimoren e Sigurt, Saveliq thotë se nuk ka pasur kurrë një rast më të rëndë se ai i Svetllana Çabotarenkos.

“Ditët e para ishin jashtëzakonisht të vështira, por edhe ato që pasuan. Ajo ngrinte duart dhe kruante gjithë trupin sa mundej. Pastaj ngrinte bluzën… Kjo zgjati për një kohë të gjatë. Vetëm kur filloi të ndihej disi më e sigurt, nisi të tregonte historinë e saj”, kujton Saveliq.

Në Moldavi, Svetllana kishte lënë dy fëmijët e saj.

Sipas Saveliqit, dëshira e vetme e saj ishte të kthehej pranë tyre.

“Më thoshte: Mira, kam fituar aq shumë para prej atyre njerëzve. Me 10 mijë dollarë mund të blej një shtëpi për veten dhe fëmijët e mi në Moldavi. Kam fituar aq shumë para, saqë sot do të mund të merrja edhe një avion privat e të kthehesha në shtëpi”, rrëfen Saveliq.

Sot, askush nuk e di se ku ndodhet Svetllana Çabotarenko.

Kanë kaluar 24 vjet që kur është parë për herë të fundit.

Gorjanc Prelleviq thotë se gjithçka që ajo përjetoi në Mal të Zi, ishte ferr: mori kërcënime me vdekje, pësoi trauma të rënda fizike dhe psikologjike, ndërsa dëshmitaret më të mira të gjendjes së saj mbeten gratë që qëndruan pranë saj në atë kohë.

Por, a mori Mali i Zi ndonjë mësim nga rasti i S.Ç.?

“Edhe pse rasti mori vëmendje të madhe publike, ai nuk arriti ta thyejë murin e mosballafaqimit të sistemit të drejtësisë me këtë krim. Megjithatë, ai arriti të paktën një gjë – t’i shpëtonte jetën viktimës”, thotë Saveliq.

Sipas saj, duke pasur parasysh gjithçka që kishte kaluar Svetllana, vetë fakti që ajo mbijetoi, ishte një sukses i madh.

Edhe Gorjanc Prelleviq shpreson që, falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare, Svetllana të jetë ribashkuar me fëmijët e saj në një vend të tretë dhe të ketë mundur të ndërtojë një jetë të qetë.

“Shpresojmë që sot ajo të jetojë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur”, thotë ajo.

Svetllana qëndroi në Shtëpinë e Sigurt në Mal të Zi për tre muaj.
Svetllana qëndroi në Shtëpinë e Sigurt në Mal të Zi për tre muaj.

Për Saveliqin, rasti i Svetllanës ishte kontakti i parë me viktimat e dhunës dhe prova më e vështirë e karrierës së saj.

Sot, ajo nuk është e sigurt se çfarë këshille do t’i jepte një gruaje në të njëjtën situatë.

“Nuk e di nëse do ta këshilloja të hynte në një proces gjyqësor, duke ditur gjithçka që e pret. Nuk e di”, shprehet Saveliq.

Kur në prill të vitit 2026 u bë e ditur se Mali i Zi nuk e kërkonte më Svetllana Çabotarenkon, Qendra për të Drejtat e Grave, Aksioni për të Drejtat e Njeriut dhe Shtëpia e Sigurt e Grave reaguan me një deklaratë të përbashkët.

Sipas tyre, parashkrimi i ndjekjes penale nuk përbën drejtësi për viktimën.

“Drejtësi do të kishte nëse sundimi i ligjit do të funksiononte, nëse autorët do të dënoheshin, viktima do të njihej zyrtarisht si e tillë dhe institucionet që dështuan ta mbronin, do të mbanin përgjegjësi për këtë dështim. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Heqja e urdhërarrestimit nuk e ndryshon këtë vlerësim”, thuhet në deklaratë.

Ku është sot lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore?

Pas disa vitesh në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, këtë vit u bë e ditur se Mali i Zi nuk e kërkon më Svetllana Çabotarenkon.

Në fakt, autoritetet malazeze e kanë hequr atë nga lista e personave në kërkim që në vitin 2018.

Që nga koha e rastit të saj, situata në Mal të Zi ka ndryshuar në disa drejtime.

Sot, vendi ka një ligj të posaçëm kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i cili nuk ekzistonte në kohën kur Svetllana denoncoi rastin e saj.

Në vitin 2024 u hap edhe një strehimore e specializuar për viktimat e trafikimit.

Ndryshe nga fillimi i viteve 2000, gjithnjë e më shumë raste përfundojnë para gjykatave.

Vetëm gjatë vitit 2025 u identifikuan 50 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa nisën 27 hetime ndaj 32 personave fizikë dhe tre personave juridikë.

Megjithatë, sipas raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor, vendet e rajonit ende nuk i përmbushin standardet minimale për luftimin e këtij fenomeni, edhe pse bëjnë përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.

Raporti identifikon si probleme kryesore numrin e ulët të dënimeve, politikën e pamjaftueshme ndëshkuese dhe kapacitetet e kufizuara të strehimoreve për viktimat.

Edhe në Moldavi situata ka ndryshuar, thotë Buimestru nga organizata La Strada.

Sipas saj, kjo lidhet me përmirësimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin më të mirë ndërkufitar mes policive.

“Trafikimi i qenieve njerëzore drejt Ballkanit Perëndimor ka rënë ndjeshëm, por kjo nuk do të thotë se është zhdukur. Ai, thjesht, është zhvendosur drejt destinacioneve të tjera, si Rusia, Evropa Perëndimore dhe vendet e Lindjes së Mesme. Pra, kemi të bëjmë me një zhvendosje të fenomenit, jo me eliminim të tij”, thotë Buimestru.

Se trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një problem serioz e dëshmon edhe operacioni më i fundit i agjencisë evropiane të policisë, Europol, i zhvilluar në 59 vende, gjatë të cilit u arrestuan 334 persona të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore.

Moldavia vazhdon të jetë një nga vendet prej nga vijnë më shumë viktima të këtij krimi.

Go to TOP