Shënohet 31-vjetori i gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë

Sot shënohet 31-vjetori i gjenocidit ndaj boshnjakëve në “Zonën e Sigurt” të OKB-së në Srebrenicë, i kryer nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.

Në Qendrën Memoriale në Potoçari do të ketë lutje kolektive për dhjetë viktima të identifikuara të gjenocidit, të cilat, pas më shumë se tri dekadash, do të prehen më në fund në paqe.

Në varrimin kolektiv në Qendrën Memoriale në Potoçari do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, krimit më të rëndë të kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, gjatë të cilit forcat serbe vranë 8.372 burra dhe djem të kombësisë boshnjake brenda pak ditësh.

Viktimat që do të varrosen këtë vit ishin nga 20 deri në 56 vjeç. Mes tyre janë edhe tre të rinj, të cilët në momentin e vrasjes ishin në të njëzetat dhe që vetëm tani do të gjejnë prehjen e tyre të përhershme. Bëhet fjalë për njerëz të pafajshëm, të vrarë në zonat e Vlasenicës, Zvornikut, Bratuncit dhe Srebrenicës, ndërsa mbetjet e tyre mortore u zhvarrosën vite më vonë nga varreza masive të ndryshme.

Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Senad (Zaim) Jusiq, i lindur në vitin 1975, i cili në kohën e vdekjes ishte 20 vjeç. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022 në lokalitetin Kameniçko Bërdo.

Viktima më e moshuar është Ramo (Mustafa) Dautoviq, i lindur në vitin 1939. Ramo kishte lindur në Srebrenicë, u zhduk në zonën e Zvornikut, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2001, pas zbulimit të varrezës masive Kamenica–Çançari. Ai do të varroset pranë vëllait të tij, Jusos, i cili ishte varrosur më herët, raporton BHRT.


Go to TOP