VLEN: Marrëdhëniet ndërshqiptare nuk guxojnë të dëmtohen
VLEN ka reaguar për zhvillimet e fundit politike duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë, komunikimi institucional dhe bashkëpunimi ndërshqiptar duhet të mbeten mbi interesat e ngushta partiake.
Në komunikatë, VLEN vlerëson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe rajon kanë nevojë për më shumë unitet dhe përgjegjësi të përbashkët.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në rajon kanë nevojë për më shumë unitet, më shumë besim dhe më shumë përgjegjësi të përbashkët. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për spiunim, dezinformim, insinuata politike apo cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare është e dëmshme, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me interesin e shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.
VLEN ka drejtuar kritika ndaj BDI-së duke e akuzuar se përmes, siç thuhet, “konstruksioneve të orkestruara” po përpiqet të krijojë mosbesim dhe konfuzion në opinion.
“BDI-ja, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, edhe një herë përpiqet që përmes konstruksioneve të orkestruara të krijojë mosbesim, insinuata, konfuzion dhe një perceptim të rremë. Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve”, thekson VLEN.
Në reagim, koalicioni shpreh respekt për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe thekson rëndësinë e komunikimit institucional ndërmjet dy shteteve.
“VLEN respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe respekton çdo komunikim institucional ndërmjet dy shteteve, pavarësisht situatave faktike kur individë të caktuar u shërbejnë interesave të grupeve politike. Institucionet janë më të mëdha se politika ditore, ndërsa marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërshqiptare nuk guxojnë të reduktohen në interesat e individëve apo të grupeve të tilla partiake”, thuhet më tej.
VLEN rithekson se do të vazhdojë të mbështesë komunikimin institucional me Shqipërinë duke nënvizuar se interesi i shqiptarëve duhet të mbetet prioritet.
“Qëndrimi ynë është i qartë: do të vazhdojmë me komunikim të përgjegjshëm, dinjitoz dhe institucional me Shqipërinë, në interes të shqiptarëve, në interes të qytetarëve dhe në interes të stabilitetit në rajon. Por njëkohësisht do të jemi parimorë dhe të drejtë dhe nuk do të lejojmë që interesat politike të individëve të jenë më të rëndësishme se interesat e shqiptarëve”, thekson VLEN.
Komunikata përmbyllet me mesazhin se “Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga. U duhet bashkëpunim, jo kurthe politike. U duhet e ardhmja, jo politika e vjetër e frikës, përçarjes dhe spiunimit” duke shtuar se VLEN mbetet e përkushtuar ndaj “përgjegjësisë, stabilitetit dhe përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”. /Kosova.info/
