Retkoceri takon Shoqatën e Bizneseve të Vogla, premton zgjidhje në interes të bizneseve familjare dhe Prishtinës
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Bizneseve të Vogla, të prirë nga kryetari, Sadudin Hasani me të cilët ka diskutuar për kërkesat dhe shqetësimet e bizneseve familjare që veprojnë në kryeqytet.
Pas dëgjimit të shqetësimeve të tyre, Retkoceri u zotua se do të angazhohet maksimalisht për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme duke theksuar se synimi është mbrojtja e interesave të bizneseve të vogla dhe zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit të Prishtinës.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Bizneseve të Vogla e falënderuan drejtorin edhe për kontributin e tij të mëhershëm, kur shërbente si asambleist duke kujtuar mbështetjen ligjore dhe financiare që u kishte ofruar bizneseve të vogla gjatë vitit 2020.
Gjatë takimit u theksua se në Zonën Qendra veprojnë dhjetëra biznese të vogla familjare, të cilat prej vitesh sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët.
Shoqata shprehu besimin se, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, do të arrihen zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që respektojnë ligjin, mbrojnë bizneset familjare dhe kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të Prishtinës. /Kosova.info/
