Gjini takon raportuesin e PE-së për Kosovën,diskutojnë për proceset në vend
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka zhvilluar takim me eurodeputetin Riho Terras, raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën.
Sipas AAK-së, gjatë takimit është diskutuar për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve funksionale.
Në njoftim thuhet se ai ka theksuar se integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian mbetet mbi çdo interes tjetër për Kosovën, duke shtuar se AAK vazhdon të jetë e përkushtuar në këtë orientim strategjik.
“Integrimi në NATO dhe BE është mbi të gjitha interesat e tjera për Kosovën. Ashtu si gjithmonë, Aleanca vazhdon të qëndrojë fuqishëm në orientimin e saj për arritjen e këtyre caqeve”, citohet të ketë thënë Gjini.
Sipas AAK-së Gjini ka deklaruar se Kosova po përballet me një periudhë të vështirë si pasojë e, siç e cilësoi ai, papërgjegjësisë politike, duke përmendur humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian, rrezikimin e proceseve integruese, si dhe sfidat ekonomike dhe institucionale.
Gjini ka falënderuar eurodeputetin Terras për punën e tij dhe për angazhimin që Kosova të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian. /Kosova.info/
