AUV demanton raportimet për rezultatet e analizave të qumështit: Ende nuk kanë përfunduar

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka demantuar raportimet e publikuara në disa media, sipas të cilave janë bërë publike rezultatet laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga Inspektorati më 2 korrik 2026.

Përmes një reagimi zyrtar, AUV thekson se nuk ka dërguar asnjë email me rezultate, pasi analizat laboratorike janë ende në proces dhe nuk kanë përfunduar.

Sipas Agjencisë, informacionet e publikuara nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk burojnë nga AUV.

Institucioni rikujton se edhe në takimin e mbajtur sot me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit është bërë e ditur se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente.

Në fund, AUV u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që t’u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të Agjencisë dhe të shmangin publikimin e informacioneve të paverifikuara, të cilat, sipas saj, mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin e kontrollit zyrtar. /Kosova.info/

Go to TOP