Ministria e Bujqësisë: Fermerët nuk janë objekt i procedurave, masat synojnë sigurinë ushqimore dhe treg të barabartë
Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural ka reaguar lidhur me situatën në sektorin e qumështit duke theksuar se respekton të drejtën e fermerëve për protestë dhe i kupton shqetësimet e tyre për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit.
Në komunikatë theksohet se fermerët nuk janë subjekt i procedurave administrative që po zhvillohen aktualisht, por këto masa kanë të bëjnë ekskluzivisht me operatorët e biznesit ushqimor dhe respektimin e detyrimeve ligjore në zinxhirin e prodhimit dhe përpunimit.
Ministria nënvizon se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe me sektorin privat për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët duke shmangur dëmet ekonomike për fermerët.
Sipas MBPZhR-së, masat e ndërmarra nuk janë të drejtuara kundër industrisë përpunuese, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në komunikatë theksohet se kontrollet janë intensifikuar në kufi dhe në treg, janë shtuar analizat laboratorike dhe është vendosur raportimi i detyrueshëm për lëndët e para në sektorin e qumështit. Këto masa, sipas ministrisë, aplikohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët.
Ministria shton se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore është thelbësor për cilësinë e produkteve, transparencën dhe besimin e konsumatorëve, ndërsa mosrespektimi i tyre mund të dëmtojë tregun dhe prodhimin vendor.
Fermerët, sipas komunikatës, kanë të drejtë të presin që prodhimi i tyre të vlerësohet drejt, ndërsa konsumatorët duhet të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.
Në fund, Ministria u bën thirrje të gjithë operatorëve të sektorit të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me institucionet për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të qumështit në vend. /Kosova.info/
