AKB: Fermerët nuk duhej të protestonin për t’u dëgjuar – institucionet të mbajnë përgjegjësi për krizën në sektorin e qumështit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes ndërmjet fermerëve të qumështit dhe Ministrisë së Bujqësisë, si dhe rifillimin e grumbullimit të qumështit nga kompania “Vita” duke e vlerësuar si një zhvillim pozitiv për stabilizimin e sektorit dhe zinxhirit të prodhimit vendor.

Sipas AKB-së, marrëveshja i jep frymëmarrje fermerëve, industrisë përpunuese dhe ekonomisë vendore në tërësi, por njëkohësisht ngre shqetësime serioze për mënyrën se si u menaxhua situata që çoi deri te protestat dhe humbjet ekonomike.

“Pse u desh të pritej deri te protestat për t’u dëgjuar zëri i fermerëve?”, thekson AKB duke vlerësuar se një krizë e tillë mund dhe duhej të ishte shmangur nëse dialogu institucional do të kishte funksionuar me kohë.

Sipas organizatës, mungesa e reagimit të hershëm institucional ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta, përfshirë humbje financiare për fermerët, derdhje të qumështit, pasiguri në treg dhe dëmtim të zinxhirit të furnizimit.

AKB thekson se institucionet kanë detyrë të parandalojnë krizat dhe jo të reagojnë vetëm pasi ato të shpërthejnë. Në këtë drejtim, fermerët nuk duhet të detyrohen të protestojnë për të realizuar kërkesat e tyre legjitime, por duhet të ekzistojë një dialog i vazhdueshëm dhe funksional.

Aleanca i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të analizojë në mënyrë të detajuar rastin, të identifikojë përgjegjësitë institucionale dhe të krijojë mekanizma të qëndrueshëm bashkëpunimi mes fermerëve, përpunuesve dhe institucioneve, me qëllim parandalimin e krizave të ngjashme në të ardhmen.

Sipas AKB-së, çdo ditë bllokadë sjell pasoja të rënda ekonomike për fermerët, industrinë dhe konsumatorët duke rritur pasigurinë dhe duke dëmtuar besimin në tregun vendor.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se marrëveshja e arritur përmes dialogut është gjithmonë më e vlefshme sesa zgjidhjet e imponuara pas protestave duke shtuar se institucionet duhet t’i dëgjojnë fermerët para se situatat të përshkallëzohen.

“Koha dhe humbjet ekonomike nuk i kthen më askush,” ka deklaruar Shahini duke kërkuar qasje më proaktive dhe përgjegjësi më të madhe institucionale në menaxhimin e sektorit bujqësor. /Kosova.info/


Go to TOP