BMW të paautorizuara: Si po ndërtohen makina luksoze nga pjesë të mbetura në Rusi
Prodhuesi gjerman i automjeteve BMW u tërhoq nga Rusia vetëm pak ditë pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, sot në tregun rus po shiten SUV luksozë të montuar pa autorizimin e BMW-së, të destinuar për klientë shumë të pasur dhe që nuk e çajnë kokën për rreziqet e mëdha.
Makina në formë të BMW-së, të montuara në Rusi, u shfaqën për herë të parë në mars të vitit 2025. Ato u ndërtuan nga pjesë që kishin mbetur në magazina pasi kompania gjermane ndërpreu papritur partneritetin e saj shumëvjeçar me fabrikën Avtotor, e cila ndodhet në enklavën ruse të Kaliningradit.
Mediat ruse kanë raportuar se gjatë vitit të kaluar në Rusi u shitën 145 BMW “pirate”, të montuara në Avtotor. Këto automjete dallohen sepse mbajnë datë prodhimi 2025, por ruajnë dizajnin e modeleve të vitit 2022.
BMW-ja prezantoi ndryshime estetike (“facelift”) për serinë e saj X gjatë periudhës 2022–2024.
Carolin Bachmann, zëdhënëse e BMW Group, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se Avtotor “filloi të prodhojë seri të kufizuara makinash BMW në vitin 2025, duke montuar automjete nga komplete të vjetra, pjesërisht të vjetruara, që kishin mbetur në dispozicion të saj që nga ndërprerja e bashkëpunimit në vitin 2022”.
Sipas Bachmann, montimi i paautorizuar ka vazhduar “në mënyrë të parregullt deri më sot”.
Ajo shtoi në një e-mail se “për t’i adresuar dhe zbutur rreziqet që lidhen me blerjen dhe përdorimin e këtyre automjeteve të paautorizuara, ne kemi informuar të gjitha palët e përfshira, përfshirë autoritetet publike, shitësit dhe klientët e mundshëm, duke sqaruar rrethanat”.

Tri modelet e SUV-ve BMW të montuara pa autorizim në Kaliningrad kushtojnë nga rreth 153.000–166.000 dollarë amerikanë për versionet bazë.
Ky çmim është disa mijëra dollarë më i ulët se ai i BMW-ve ekuivalente që importohen në Rusi përmes skemave të “tregut gri”, ku makinat blihen nga një koncesionar në një vend tjetër, dërgohen në Rusi dhe shiten si të reja.
Christopher Ludwig, ekspert britanik i industrisë automobilistike, i tha REL-it përmes e-mailit se, edhe pse fabrika e Kaliningradit kishte në dispozicion pjesë origjinale të BMW-së, ajo do të përballej me sfida të mëdha për të prodhuar këto automjete të paautorizuara.
“Mungesa e mbikëqyrjes inxhinierike dhe të proceseve nga BMW do të thotë se automjetet montohen pa ndihmë të drejtpërdrejtë teknike të kompanisë, gjë që, të paktën, ngre shqetësime serioze për cilësinë”, tha Ludwig, i cili drejton Automotive Logistics dhe revista të tjera të industrisë automobilistike.
“Një nga kompleksitetet kryesore të automjeteve moderne është menaxhimi i njësive të ndryshme elektronike të kontrollit dhe softuerit që lidh të gjitha sistemet”, shtoi ai. “Ky softuer me siguri është shkëputur nga BMW dhe, për këtë arsye, ose nuk mund të përditësohet më, ose është riprogramuar apo zëvendësuar”.
Shitësit rusë që i reklamojnë makinat e montuara në Kaliningrad e paraqesin këtë shkëputje të softuerit si përparësi dhe jo si problem. Ata theksojnë se automjetet nuk mund të bllokohen nga programuesit e BMW-së, të cilët teorikisht mund të çaktivizonin nga distanca automjetet e lidhura me sistemet zyrtare të kompanisë.

Mediat ruse kanë raportuar gjithashtu se disa pjesë të thjeshta, si zorrët e gomës dhe instalimet elektrike, po prodhohen tashmë në Rusi për këto BMW pa licencë. Ndërkohë, muajt e fundit janë siguruar edhe pjesë mekanike nga furnizues të paidentifikuar për të plotësuar rezervat e mbetura nga viti 2022.
Ludwig tha se BMW nuk ka mundësi të gjurmojë për një kohë të pacaktuar çdo komponent të automjeteve të saj, prandaj pjesët mund të sigurohen “përmes subjekteve të ndryshme të huaja dhe vendeve si Azia Qendrore, Kina, Lindja e Mesme ose vende të tjera që vazhdojnë të kenë lidhje tregtare”.
Sipas tij, një zinxhir i tillë furnizimi dhe procesi montimi “me shumë ndërmjetës do të ishte me shumë gjasa më i kushtueshëm dhe më pak efikas”, por “jo i pamundur”.
Edhe ekonomisti me bazë në Tbilisi, Vakhtang Partsvaniya, i cili ka shkruar gjerësisht mbi mënyrat se si Rusia shmang sanksionet, pajtohet me këtë vlerësim.
“Teknikisht është e mundur që disa pjesë të BMW-së ose komponentë të përputhshëm të vazhdojnë të hyjnë në Rusi përmes tregut gri, ndërmjetësve ose importeve paralele”, i tha ai REL-it me e-mail, duke shtuar se “Rusia ka zhvilluar shumë rrugë të tilla që nga viti 2022”.
Megjithatë, një pretendim rishtazi – se Avtotor kishte filluar të montonte modelin me motor dizel BMW X6 40d, një model që supozohej se nuk ishte prodhuar kurrë më parë në fabrikën e Kaliningradit – i ka habitur ekspertët e industrisë.
Për shkak të mbivendosjes së kufizuar mes modeleve, sigurimi i të gjithë komponentëve për një automjet që nuk ishte prodhuar kurrë më parë në Kaliningrad do të ishte një arritje gjigante. Zinxhirët modernë të furnizimit në industrinë automobilistike përfshijnë qindra furnizues që ofrojnë dhjetëra mijëra pjesë për çdo automjet të individual.
Pra, si është e mundur që fabrika ruse të prodhojë një model që nuk është montuar kurrë më parë aty?
Përgjigjja është: nuk është e mundur.
BMW-ja nuk e ka komentuar publikisht këtë pretendim specifik, por të dhënat e disponueshme në internet tregojnë se ai është i pavërtetë.
Një video e publikuar në maj 2026 pretendonte se modeli X6 40d po montohej për herë të parë në Avtotor. Megjithatë, disa komente poshtë videos e kundërshtonin këtë pretendim, dhe njëri prej tyre paraqiti prova konkrete.
“Në video thoni se X6 40d nuk është montuar kurrë në Kaliningrad. Atëherë si është e mundur që unë bleva një të re në gusht të vitit 2016?”, shkroi një komentues.
Ai publikoi edhe numrin e plotë të identifikimit të automjetit (VIN). Verifikimi i këtij numri përmes mjeteve online tregoi se automjeti me motor dizel ishte montuar vërtet në Kaliningrad në qershor të vitit 2016.

Regjistrimet e BMW-ve të reja në Rusi janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, por statistikat më të fundit të industrisë automobilistike ruse nuk specifikojnë se ku janë prodhuar këto automjete me dizajn gjerman.
Nëse raportimet ruse për kërkesën e lartë për BMW të montuara në Kaliningrad janë të sakta, prodhimi i këtyre automjeteve pa licencë mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.
Eksperti i logjistikës Christopher Ludwig tha se Avtotor, ku u montuan më shumë se 261.000 BMW ndërmjet tetorit 1999 dhe fillimit të vitit 2022, me shumë gjasa kishte “një zinxhir furnizimi të plotë prej të paktën tre muajsh, dhe ndoshta gjashtë muajsh ose edhe më shumë”.
Duke theksuar se këto janë vetëm vlerësime, ai shtoi: “Nëse fabrika prodhonte 1.000 automjete në muaj para vitit 2022, por tani prodhon vetëm 50, atëherë edhe një rezervë pjesësh për tre muaj nga periudha para vitit 2022 mund të mjaftonte për pesë vjet”.
Një burim nga industria automobilistike ruse, i cili foli për REL-in në kushte anonimiteti, tha se ritmi aktual i prodhimit të BMW-ve pa licencë është “një pikë në oqean” krahasuar me prodhimin e fabrikës para vitit 2022.
Megjithatë, ai shtoi: “Do të jetë interesante nëse fillojnë të shfaqen karroceri të reja (pas ‘facelift’-it) dhe gjërat marrin me të vërtetë hov”.
