Kush është kundër ngritjes së LDK-së; ne që po kërkojmë ndryshime apo ata që po i bllokojnë ato?!
Shkruan: Florim ZEQA
Kush është kundër ngritjes së LDK-së: ne që po kërkojmë ndryshime apo ata që po i bllokojnë ato?!
Të humbësh një palë zgjedhje mund të jetë rastësi, por assesi tri humbje radhazi nuk arsyetohen me rastësinë, as me heshtje dhe as me ikje nga përgjegjësia politike!
Ikja nga përgjegjësia, akt qyqar i drejtuesve aktualë
Një subjekt politik që për dy dekada rresht nuk arrin të këndellet nga humbjet serike, nuk e meriton skenën parlamentare!
Një klasë politike që për 20 vjet rresht dështon në zgjedhje parlamentare nuk e meriton të jetë në krye të subjektit politik!
Një politikan që përjeton më shumë se tri humbje serike duhet t’i thërrasë ndërgjegjes dhe të ofrojë dorëheqjen nga organet e partisë si akt moral për humbjet në zgjedhje!
Mirëpo, për fat të keq, drejtuesit e LDK-së nuk e njohin dorëheqjen si akt moral!
E njohin ikjen nga përgjegjësia si akt qyqar para elektoratit, të cilin e mashtrojnë paturpësisht para zgjedhjeve, duke ua premtuar fitoren spektakolare!
Fitoren nuk e njohin qe dy dekada dhe, përsëri, krenarë me veten e tyre!
Drejtuesit e LDK-së post-rugoviane u kënaqën me vendin e dytë plot 14 vjet në skenën politike, por, siç po duket, të kënaqur janë edhe me vendin e tretë për 6 vite rresht, si humbës të katër palë zgjedhjeve!
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur nuk reflektojnë as tani nga pozita e tretë, duke e thyer rekordin e humbjeve në zgjedhje 9:0, pa asnjë fitore në zgjedhjet nacionale!
Humbjet janë normale për një parti të vogël, por jo edhe për një ish-gjigant të politikës kosovare, nga e cila dolën të gjitha partitë e skenës politike kosovare!
Një dorëheqje e harruar dhe kriza morale në LDK
I vetmi politikan i LDK-së, me ndërgjegje të pastër njerëzore, i cili kishte dhënë dorëheqje, ishte Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Rexhepi, duke e ndjerë përgjegjësi morale si akt moral ndaj qytetarëve të Kosovës dhe familjeve Balaj e Xheladini, të cilat humbën bijtë e tyre, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, si pasojë e plagëve të marra gjatë protestave të 10 shkurtit 2007, ani pse nuk e kishte asnjë lloj përgjegjësie komanduese për vrasjen e dy aktivistëve të LVV-së nga policia e UNMIK-ut!
Udhëheqja autoritare e LDK-së nuk e njeh dorëheqjen si akt moral për humbjet serike dhe humbjen e elektoratit të saj!
Përkundrazi, e marrin guximin që t’i sulmojnë dhe etiketojnë të gjithë zërat që kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie për humbjet serike dhe katandisjen e vlerave demokratike në LDK.
Çka është bërë, është bërë mjaft: 20 vjet humbje, 20 vjet zhgënjim, 20 vjet turpërim për LDK-në!
Vetëm dorëheqja kolektive është shpëtim për LDK-në; në të kundërtën, e pret përfundim i turpshëm partinë më të vjetër politike në vend!
Siç duket, bashkëjetesa me humbjen i ka bërë drejtuesit e LDK-së të ndjejnë frikë nga fitorja!!!
Ngritja e partive rivale dhe tkurrja e LDK-së janë bërë shqetësim për elektoratin, por jo edhe për drejtuesit e saj, të cilët zërat kritikë që kërkojnë ndryshime substanciale i akuzojnë si armiq të LDK-së!
U mbetet lexuesve të këtyre rreshtave që të vlerësojnë drejt dhe më gjakftohtësi se kush, në të vërtetë, është armik dhe kush është kundër ngritjes së LDK-së: ne që po kërkojmë ndryshime apo ata që po i bllokojnë ato?
