Dogana sekuestron mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara

Zyrtarët e Dogana e Kosovës kanë zbuluar dhe ndaluar mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinë në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të një autobusi të linjës ndërkombëtare janë gjetur 7,168 produkte farmaceutike të vendosura në një valixhe të pasagjerëve, pa dokumentacion përkatës dhe të padeklaruara pranë autoriteteve doganore.

Prej tyre, 7,100 ishin në formë kapsulash, ndërsa 68 produkte të tjera përfshinin shurupe, sprej dhe xhel.

Autoritetet bëjnë të ditur se asnjë prej pasagjerëve nuk e ka pranuar pronësinë mbi bagazhin, ndërsa në përputhje me Ligjin për Kodin Doganor dhe të Akcizave, është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë transportuese si subjekt përgjegjës.

Mallrat janë ndaluar dhe ndaj rastit po vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore. /Kosova.info/


Go to TOP