Scaloni: Fitorja, dhurata më e bukur për ndeshjen e 100-të
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, arriti një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij duke drejtuar kombëtaren në ndeshjen e 100-të.
Jubileu u shënua me një fitore 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër, rezultat që i siguroi “Albicelestes” kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026.
Pas përfundimit të ndeshjes, Scaloni pranoi se skuadra e tij hasi vështirësi gjatë ndeshjes, por theksoi se më e rëndësishmja ishte arritja e objektivit.
“Zhvilluam një ndeshje të vështirë. Patëm probleme në fazën mbrojtëse, ndërsa ngërçet muskulore ndikuan te disa prej lojtarëve. Megjithatë, në fund ajo që ka rëndësi është fitorja”, deklaroi tekniku argjentinas.
Scaloni nuk e fshehu kënaqësinë që jubileu i tij në stolin e Argjentinës u kurorëzua me sukses.
“Jam shumë i lumtur që ndeshja ime e 100-të si trajner i Argjentinës përfundoi me fitore. Nuk mund ta festoja në mënyrë më të mirë këtë moment të veçantë”, u shpreh ai.
Trajneri 48-vjeçar refuzoi të kritikojë paraqitjen e skuadrës së tij duke i dhënë merita të plota kundërshtarit për rezistencën dhe intensitetin e treguar në fushë.
“Kjo ndeshje ishte e tillë sepse Kepi i Gjelbër luajti me intensitet maksimal dhe dha gjithçka në fushë. Nuk mendoj se ishte çështje presioni nga ana jonë. Argjentina nuk hyn kurrë në fushë e ngarkuar nga presioni. Natyrisht ka elemente që duhet t’i përmirësojmë, por jemi të përgatitur për sfidat që na presin”, përfundoi Scaloni.
