AKB: Çdo goditje ndaj Vitës është goditje ndaj prodhimit vendor dhe fermerëve
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për zhvillimet që kanë prekur qumështoren “Vita” duke vlerësuar se çdo kufizim apo mbyllje e aktivitetit të saj përbën goditje ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe ekonomisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se çdo biznes duhet t’u nënshtrohet kontrolleve nga institucionet kompetente në përputhje me ligjin, por ato duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, transparente, të paanshme dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
Sipas AKB-së, dobësimi i industrisë së qumështit rrezikon të rrisë varësinë nga importi, ndërsa theksohet se prodhimi vendor nuk mund të zëvendësohet me produkte të huaja pa pasoja ekonomike dhe sociale.
AKB ngriti shqetësimin se, nëse veprimet ndaj “Vita”-s lidhen me interesa tregtare ose lobime në favor të importit, kjo do të dëmtonte ekonominë vendore dhe fermerët kosovarë. Organizata paralajmëroi se konsumatorët dhe bizneset vendore do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për të zëvendësuar prodhimin vendor me importe.
Në fund, AKB kërkoi rishqyrtimin e menjëhershëm të vendimeve që prekin industrinë e qumështit, mbrojtje institucionale për prodhuesit vendorë, transparencë të plotë në vendimmarrje dhe trajtim të barabartë mes prodhimit vendor dhe produkteve të importuara duke theksuar se “pa prodhim vendor nuk ka ekonomi të qëndrueshme”. /Kosova.info/
