Tuchel pas fitores: E merituar, por shumë më e vështirë se sa pritej

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka pranuar se fitorja 2:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në Kupën e Botës 2026 ishte e merituar, por shumë më e vështirë sesa pritej.

Tuchel theksoi se skuadra e tij do të kishte preferuar një ndeshje më të kontrolluar, por u përball me vështirësi që në fillim të takimit.

“Do të donim një ndeshje më të lehtë, me gol të hershëm dhe një pasdite më të qetë, por futbolli nuk funksionon kështu. Duhet të përballesh me situatat,” u shpreh ai.

Sipas trajnerit gjerman, Anglia krijoi raste të shumta pas pushimit, por u përball me një portier në formë të jashtëzakonshme dhe me mungesë konkretizimi në momentet vendimtare.

“Pësuam herët, por më pas krijuam 3–4 raste të mëdha, madje edhe një situatë të mundshme penalltie. Vazhduam të sulmojmë derisa e thyem mbrojtjen e tyre,” shtoi Tuchel.

Ai vlerësoi gjithashtu karakterin e skuadrës, duke theksuar reagimin dhe mentalitetin fitues.

“Reagimi dhe besimi i ekipit është i jashtëzakonshëm. Nuk u dorëzuam dhe gjetëm mënyrën për të fituar. Ishte një fitore plotësisht e merituar,” deklaroi ai.

Duke folur për Harry Kane, Tuchel e cilësoi sulmuesin si vendimtar në ndeshje të tilla të ngushta.

“Është ajo që presim prej tij dhe ajo që pret ai nga vetja. Në ndeshje të tilla, Harry gjithmonë bën diferencën. Top nivel,” tha trajneri.

Ai vlerësoi edhe ndikimin e zëvendësimeve, veçanërisht Anthony Gordon, i cili kontribuoi në të dy golat e Kane.

Në fund, Tuchel theksoi se uniteti brenda skuadrës është një nga forcat kryesore të Anglisë në këtë turne.

“Të gjithë ndihen të rëndësishëm, pavarësisht nëse luajnë nga fillimi apo nga stoli. Kjo frymë grupi na mban gjallë,” përfundoi ai. 


Go to TOP