Reshjet e dendura bllokojnë rrugën Ferizaj-Gjilan, policia devijon trafikun

Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar bllokimin e qarkullimit në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan, në segmentin që kalon përmes fshatit Dardani, duke detyruar Policinë e Kosovës të orientojë automjetet në rrugë alternative.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, sasia e madhe e ujit të grumbulluar pas reshjeve në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar e ka bërë rrugën të pakalueshme për automjete deri në një njoftim të ri.

“Për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar pas reshjeve, rruga magjistrale Ferizaj–Gjilan është e pakalueshme për automjete deri në një njoftim tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet kanë kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative. Automjetet që lëvizin nga Ferizaj në drejtim të Gjilanit orientohen përmes rrugës së fshatit Zllatar, ndërsa ata që udhëtojnë nga Gjilani drejt Ferizajt duhet të përdorin aksin Dardani–Zllatar, përkatësisht rrugën pranë kompanisë “Metali i Ri”.

“Njësitet policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë orientimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Go to TOP