AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë gjatë fundjavave të sezonit veror

Shoqëruar me një studim të realizuar gjatë periudhës 28 maj – 28 qershor 2026, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë mbështetësit më të mëdhenj të turizmit në Shqipëri, duke shpenzuar rreth 195 milionë euro vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik maj–tetor.

Sipas të dhënave të AKB-së, të mbledhura përgjatë pesë fundjavëve radhazi, mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kalojnë fundjavën në Shqipëri. Gjatë një qëndrimi prej dy deri në tre netësh, ata shpenzojnë mesatarisht të paktën 300 euro për person duke përfshirë akomodimin, gastronominë, transportin, karburantet, taksën rrugore, argëtimin dhe blerjet.

Bazuar në këto shifra, rezulton se çdo fundjavë ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët kosovarë. Duke llogaritur 26 fundjavat e sezonit turistik, nga 1 maji deri më 30 tetor 2026, shpenzimet arrijnë në rreth 195 milionë euro, pa përfshirë pushimet disa ditore apo javore gjatë verës.

AKB thekson se këto të dhëna dëshmojnë se Kosova mbetet partneri dhe tregu më i rëndësishëm për turizmin shqiptar duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e hotelerisë, gastronomisë, tregtisë, transportit dhe sektorëve të tjerë të shërbimeve.

Po ashtu, Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmes investimeve të përbashkëta në turizëm, përmirësimit të infrastrukturës, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe krijimit të ofertave të përbashkëta turistike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se studimi dëshmon qartë rolin kyç të qytetarëve të Kosovës në zhvillimin e turizmit shqiptar.

“Rreth 195 milionë euro që shpenzohen vetëm gjatë 26 fundjavave të sezonit maj–tetor përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e Shqipërisë. Ky është një partneritet ekonomik që duhet të vlerësohet, të mbështetet dhe të zhvillohet më tej përmes politikave të përbashkëta, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve edhe më të favorshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe bizneseve. Kur fiton turizmi shqiptar, fitojnë edhe bizneset dhe qytetarët në të dy anët e kufirit”, deklaroi Shahini.

Go to TOP