AUV përmbyll me sukses projektin pesëvjeçar me BE-në, realizohen 141 rezultate për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka përmbyllur me sukses projektin “Mbështetje për krijimin e programeve të mbikëqyrjes dhe kontrollit të sëmundjeve dhe përafrimin me Kapitullin 12 të acquis të BE-së”, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian përmes ekipit të asistencës teknike.
Projekti, i cili ka nisur më 20 shtator 2021, kishte për synim forcimin e sigurisë ushqimore, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve, si dhe harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian në fushën veterinare, fitosanitare dhe të sigurisë ushqimore.
Fillimisht i planifikuar me 84 aktivitete për t’u realizuar brenda 36 muajve, projekti u zgjerua gjatë zbatimit të tij falë identifikimit të nevojave shtesë të AUV-së. Numri i rezultateve të planifikuara u rrit në 141, ndërsa afati i zbatimit u shty deri më 30 qershor 2026 për të mundësuar përfundimin e tyre.
Sipas AUV-së, të gjitha 141 rezultatet e planifikuara janë realizuar dhe miratuar zyrtarisht duke shënuar një arritje të rëndësishme për sektorin e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve në Kosovë.
Gjatë projektit janë hartuar dokumente strategjike për përafrimin me Kapitullin 12 të acquis të BE-së, është avancuar harmonizimi i legjislacionit kombëtar, janë forcuar sistemet për monitorimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, janë ngritur kapacitetet laboratorike dhe janë përmirësuar mekanizmat për menaxhimin e nënprodukteve shtazore.
Po ashtu, projekti ka kontribuar në promovimin e përdorimit të kujdesshëm të antibiotikëve dhe në forcimin e kontrolleve zyrtare për mirëqenien e kafshëve. Në të njëjtën kohë, janë identifikuar nevoja të reja për investime në burime njerëzore, infrastrukturë dhe kapacitete laboratorike, me qëllim të përmbushjes së plotë të kërkesave të Bashkimit Evropian.
AUV vlerëson se përmbyllja e suksesshme e projektit përbën një moment të rëndësishëm për sektorin agro-ushqimor në Kosovë duke krijuar baza të forta për avancimin e standardeve, mbrojtjen e shëndetit publik, rritjen e mundësive për tregti dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. /Kosova.info/
