Haziri: Vjosa Osmani mbetet nominimi i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas interesimit të publikut lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe debatet brenda partisë duke theksuar se qëndrimet e LDK-së nuk kanë ndryshuar.
Përmes një sqarimi publik, Haziri ka bërë të ditur se nominimi i Vjosa Osmani për presidente mbetet i vetmi emër i propozuar nga radhët e LDK-së.
Ai ka theksuar se, në kuadër të debatit paszgjedhor, ka paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm politik, me synimin e krijimit të stabilitetit politik dhe institucional në vend.
Sipas Hazirit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt, ndërsa çdo kërkesë politike do të trajtohet brenda strukturave legale të partisë.
“Demokracia është barasvlershme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën”, ka deklaruar Haziri.
Deklarata vjen në një periudhë të debateve të brendshme dhe diskutimeve politike pas zgjedhjeve, ndërsa LDK po vazhdon procesin e reflektimit dhe përcaktimit të hapave të saj politikë për periudhën e ardhshme. /Kosova.info/
